PSG trondit Ançelotin, leksion me sulmin e ëndrrave

0

Nejmar e Kavani janë zënë dhe nuk e durojnë njëri-tjetrin? Ashtu vazhdofshin për PSG-në, nëse luajnë si sot kundër Bajernit.

PSG ka dhuruar spektakël dhe ka arritur një fitore të madhe kundër Bajernit, një 3-0 që nuk lë shumë vend për debat, edhe pse ka disa justifikime për bavarezët. Një gol i shpejtë nga Dani Alvesh, që në minutën e dytë, pas rrëmujës që krijoi Nejmar, bëri që Bajerni të çoroditej që në start, ndërsa kur nisi të luante e të krijonte edhe raste, PSG shënoi edhe golin e dytë me Kavanin, shërbyer nga Mbape.

Ky i fundit nuk shënon, por është një furtunë në zonën kundërshtare dhe në minutën e 63-të krijoi edhe golin e tretë, nga Nejmar.

Një ndeshje e çuditshme, ku lojën e bëri Bajerni, por golat PSG, që konfirmoi se ka një sulm spektakolar dhe këtë sezon synon të shkojë deri në fund të turneut. A do t’ia dalë? Duhet durim, një fitore e tillë nuk tregon shumë, mjafton të kujtohet edhe suksesi ndaj Barcelonës para disa muajsh, por nëse mund Bajernin 3-0, diçka të mirë po e bën. Meqë ra fjala, diçka të mirë duhet të bëjë edhe Karlo Ançeloti, sepse sezoni i ri ka nisur shumë keq dhe në Mynih nuk do ta presin pa fund.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here