Provoi Shqipërinë e Kosovën, tani Arbër Basha firmos në Estoni

Është vetëm 20 vjeç, por Arbër Basha që tani ka një CV interesante dhe prej ditës së sotme mund të krenohet me faktin se është shqiptari i vetëm që luan në futbollin estonez.

Mesfushori i talentuar është kthyer në një eksplorues që në moshë të re, sepse te moshat ka luajtur tek Olimpiku dhe Akademia e Futbollit, ndërsa verën e shkuar provoi për herë të parë futbollin profesionist, duke shkuar te Vllaznia e Pozharanit, në Superligën e Kosovës.

Një aventurë e pafat, sepse Vllaznia kishte skuadër modeste dhe që u shpërbë pa ardhur janari, por për Bashën ishte një eksperiencë shumë interesante, duke grumbulluar eksperiencë dhe duke luajtur jo pak e duke dhënë disa asiste.

Në janar, kur Vllaznia u shërbë, Basha vendosi të kthehej në Shqipëri, duke firmosur për Kamzën, ku nuk pati hapësirë, për faktin se mesfusha e Kamzës ishte e mbipopulluar dhe tensioni i zbritjes në renditje ishte shumë i madh, duke mos lejuar trajnerët e Kamzës që të provonin lojtarët e rinj.

Tani Basha shpërngulet në veri të Europës, në Narva, qyteti i tretë më i madh i Estonisë. Praktikisht në Rusi, sepse qyteti është i banuar nga rusë, ndaj nuk është çudi që Basha të tentojë edhe kalimin në kampionatin rus, nëse i ecën mbarë te Trans Narva.

Klubi është një nga themeluesit e kampionatit elitar në Estoni, Meistriliiga, ndërkohë që së bashku me Flora Talinin krenohet me faktin se nuk ka zbritur kurrë nga kategoria superiore në Estoni.

Trofe pak, një kupë dhe dy Superkupa, por gjithnjë pranë vendeve të kreut në kampionat, ashtu si është tani, sepse kampionati estonez është në mesin e rrugëtimit dhe Trans Narva është në vendin e katërt, pozicion i kënaqshëm.

Këtë verë Trans Narva do të luajë në Europa League, synimi i zakonshëm për një klub jo shumë të pasur, por që mbijeton me forcat e veta, pa borxhe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *