Protesta rekord, 15 vjet nga 149 autogolat “mitologjikë”!

Ndeshja e kampionatit në Madakaskar futet në librin “Guinness”: humbja më e thellë në historinë e futbollit dhe një arbitër që vetëm shënon dhe vërshëllen

Për shumë, heroi i vërtetë në këtë histori që do të tregojmë është arbitri. Të tjerë dyshojnë që ishte ai fajtori, dhe jo viktima, në atë që ishte një histori e shëmtuar korrupsioni. E sigurt është që vetëm ai, zoti Benzhamina Razafintsalama, ka bërë detyrën e tij për 90 minuta, duke u kufizuar që të vërshëllente dhe të shënonte, të vërshëllente dhe shënonte, të vërshëllente dhe shënonte…

E gjitha, plot 149 herë. Të kthehemi mbrapa në kohë, plot 15 vjet më parë. Ishte 31 tetori 2002 dhe në Madagaskar luhet java e fundit e kampionatit. Nuk është turneu më i bukur në botë, por i aftë, njëherë të vetme, të futet në librin Guinness. Në fushë, në “Mahamasima Municipal Stadium” përballen mes tyre AS Adema dhe l’SO de l’Emyrne, respektivisht e para dhe e dyta në renditje. “Përballen” sa për të thënë, duke qenë se ndeshja mbaron 149-0. Razafintsalama (arbitri i ndeshjes) e shënon 149 herë atë që ndodh…

Ngjarja, në të vërtetë, nis dy ditë më parë, kur luhet java e parafundit e kampionatit dhe SO, duke barazuar ndaj DSA Antananarivo, sheh të shuhet mundësia për të fituar titullin në takimin direkt të javës së fundit, që bëhet kështu e kotë dhe pa vlera. Një barazim që djeg, sidomos se si erdhi, me DSA që gjen golin e 2-2 thuajse në kohën shtesë dhe me penallti të dyshimtë. Një penallti e vërshëllyer nga zoti Benjamina Razafintsalama. E kuptoni tani fillin?

Tani, provoni të shihni fytyrat e atyre të SO kur, dy ditë më pas, rigjejnë atë arbitër për sfidën kundër AS Adema. Ok, Madakaskari nuk është një tokë ku arbitrat lulëzojnë, por përzgjedhja duket e dyshimtë. Zaka Be, trajneri i SO, dhe djemve të tij u mjaftojnë disa vërshëllima “të dyshimta” për të kuptuar se poshtë ka diçka që nuk shkon dhe, duke nuhatur se do të pësojnë “vjedhjen” e radhës, vendosin të marrin në dorë situatën, duke kryer një nga protestat më të veçanta…

Ideja – Trajneri është ai që ka idenë e çmendur. Sapo fitojnë topin, lojtarët e SO synojnë portën e tyre dhe shënojnë me vullnet të plotë autogol. Më pas e çojnë topin në mesfushë, duke pritur vërshëllimën e zotit Razafintsalama, që  bën plot 149 herë, deri kur në minutën e 90-të vërshëllehet fundi i tragjikomedisë por edhe ndeshjes….

Për të thënë të vërtetën, dikush nga publiku provoi të ndalonte këtë farsë: shumë spektatorë zbritën nga tribuna duke kërkuar paratë e biletës mbrapsht, shumë protestuan me arbitrin që vazhdoi misionin e tij. Ndeshja, sigurisht, hyri në Guinness. Në fund të ndeshjes, federata s’kualifikoi 3 vjet Zaka Be, trajnerin që pati idenë e protestës, dhe për disa muaj lojtarë të ekipit. Edhe sot, megjithatë, ato mund të tregojnë atë ditë kur nuk i dhanë mundësi kundërshtarit të prekte topin. Por, ndryshe nga ajo që mendohet, pësuan një humbje “mitologjike”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *