Prognoza e Shkëlqim Muçës: Fusha dhe sulmi, avantazhet e Kukësit

0

Fatjon Rupi

I ka drejtuar vitet e fundit të dyja skuadrat që nesër diskutojnë titullin kampion në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Shkëlqim Muça ka qenë trajner i Skënderbeut dhe i Kukësit, madje me këtë të fundit ka punuar edhe si drejtor teknik. Për 90-minutëshin e nesërm mendon se përcakton në masën 90% titullin kampion, ndërsa 10% ia lë javës së fundit. Muça sheh një ndeshje thuajse të barabartë në stadiumin e Kukësit, të cilit i jep 5% më shumë shanse se kundërshtari, “bonus” që vjen thjesht nga faktori fushë. Po ashtu, në ndeshjen e nesërme specialisti i njohur i futbollit veçon si avantazh për Kukësin sulmin e tij, duke e konsideruar më oportunist se ai Skënderbeut. Ai flet edhe për problematikën e madhe me gjykimin në këto javët e fundit të kampionatit.  

– Zoti Muça, në Kukës luhet të shtunën finalja e titullit kampion. Si e parashikoni?

– Mendoj se është diçka e bukur dhe pozitive, që titulli kampion të diskutohet në javën e fundit apo të parafundit të kampionatit. Në këtë sens, do të jetë një ndeshje me emocione, sepse të dyja skuadrat do të luftojnë për fitore.

– Çfarë avantazhesh kanë këto dy skuadra ndaj njëra-tjetrës në këtë ndeshje, sipas jush?

– E shoh një ndeshje të barabartë, por Kukësi ka avantazhin e fushës. Nëse e ndaj me përqindje, do të thosha Kukësi ka 55% shanse për fitore dhe Skënderbeu 45%. Kështu do të ndodhte edhe nëse ndeshja do të luhej në Korçë, pra me ekipin vendës që ka një avantazh të lehtë në të tilla ndeshje.

– Po në aspektin teknik profesor, çfarë do të veçonit në raportin mes Kukësit dhe Skënderbeut?

– Dy skuadrat janë aty-aty. Mendimi im është se Kukësi ka një sulm më oportunist dhe them se ky faktor do ta zgjidhë ndeshjen. Për repartet e tjera, nuk dua t’i marr emrat një e nga një, por them se nuk ka ndryshime të mëdha. Dy sulmuesit e Kukësit, Pejiç dhe Emini, janë dy lojtarë, të cilët dinë të zgjidhin situatat në ndeshje të tilla vendimtare.

– Përvoja e fituar në vitet e fundit, a e ndihmon Skënderbeun ta kalojë me sukses këtë ndeshje?

– Skënderbeu ka përvojë, është e vërtetë, por edhe lojtarët e Kukësit nuk janë larg në këtë drejtim. Në ndeshje si kjo, ku vendoset titulli, çdo lojtar gjen forca për të dhënë më shumë nga vetja, ndaj dhe besoj se do të jetë një ndeshje e fortë, duke qenë që edhe Skënderbeu luan për një rezultat, për fitoren.

– Kur thoni që ndikon fusha profesor, keni parasysh tifozërinë apo faktin që luhet në fushë me bar sintetik?

– E kam fjalën te tifozëria, që ndikon tek ekipi vendës.

– Ju ia “jepni” titullin që të shtunën Kukësit…?

– Jo, jo. Nuk e thashë këtë. E kam fjalën që Kukësi ka favorin që luan në fushën e tij dhe mund ta sigurojë titullin, por gara mund të qëndrojë e hapur edhe për javën e fundit.

– Një temë shumë përfolur javët e fundit është ajo e gjykimit. Ju profesor, si e keni parë atë që ka ndodhur me gjyqtarët?

– Vërtet, është një temë shumë e diskutuar. Di të them se kam parë jo pak gabime të qëllimshme në gjykimin e ndeshjeve, sidomos javët e fundit. Janë penalizuar shumë ekipe. Kjo më shqetëson, sepse është shumë e vështirë të gjesh ndonjë gabim njerëzor. Shumë gabime janë bërë me dashje dhe kanë ndikuar në garë.

– Përgjegjësia në këtë rast bie mbi individë të caktuar apo…?   

– Sigurisht, përgjegjësia kryesore bie mbi sektorin përkatës në Federatën Shqiptare të Futbollit. Ata që e kontrollojnë gjykimin dhe që i përgatisin gjyqtarët, duhet të mbajnë përgjegjësi.

Kriza bardheblu

“Tirana katastrofë, gaboi me disa largime”                   

Nuk kishte si të mungonte një mendim për krizën e paimagjinueshme të Tiranës nga specialisti Shkëlqim Muça në intervistën për “Sport Ekspres”. Ai shprehet se situata është disi e pashpjegueshme dhe se nga gabimet që janë bërë, më i rëndë është largimi i disa prej lojtarëve me përvojë në janar, siç janë Muzaka, Vucaj e Nika. Më shumë se kurrë më parë Tirana është nën “ethet” e mbijetesës, megjithatë, ish-lojtari dhe ish-trajneri i saj beson se do të arrihet qëndrimi, duke e fituar me çdo kusht ndeshjen e radhës me Luftëtarin. ”Ky kampionat, por veçanërisht gjysma e dytë e tij, ka qenë një katastrofë e vërtetë për Tiranën. Janë bërë shumë gabime, por ajo që dua të evidentoj ka të bëjë me largimin e disa lojtarëve të vjetër, me shumë përvojë, gjatë merkatos së dimrit. Kam parasysh këtu Muzakën, Vucajn e Nikën, lojtarë që do t’i kishin bërë shumë punë ekipit dhe nuk mund të largoheshin ashtu. Duke shtuar mungesat nga dëmtimet, siç është rasti i Muçës, por edhe skualifikimet, situata ka precipituar deri këtu. Sidoqoftë, e ritheksoj se është një katastrofë e vërtetë për Tiranën, që të gjendet në këto kushte. Eshtë e pafalshme. Për të qenë i sinqertë, kam besim se Tirana do të qëndrojë në Superiore. Ndeshja me Luftëtarin është shumë e vështirë, sepse kundërshtari vjen në Tiranë për pikë, duke qenë se ka një objektiv konkret, luan për vendin e katërt. Gjithsesi, mendoj se Tirana do ta fitojë këtë ndeshje për vetë rrethanat në të cilat ndodhet, – ka theksuar Muça.

 

Polemikat e të kuqve

“Partizanit i është rënë në qafë këtë sezon”

Për “luftën” mes Partizanit dhe FSHF-së, ku deklaratat nga kampi i kuq kanë qenë të ashpra kohët e fundit, Shkëlqim Muça ka qenë disi më i rezervuar, Megjithatë, duke parë disa ndeshje të të kuqve, ai konstaton se atyre u është rënë në qafë: “Të them të drejtën, ata që janë brenda ekipit, e dinë më mirë se çfarë ka ndodhur. Thjesht e kam parë nga jashtë këtë situatë dhe, duke iu referuar disa ndeshjeve, mendoj se Partizanit i është rënë në qafë nga gjykimi. Kam parasysh ndeshjen me Kukësin, me Flamurtarin tani në fund dhe ndonjë ndeshje tjetër. Partizanit i është mohuar diçka”, – thotë ish-trajneri i mirënjohur.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here