Prognoza e Pollozhanit: Europa është minimumi për Flamurtarin

Në një intervistë ekskluzive për “Sport Ekspres”, futbollisti me përvojë i vlonjatëve shpreh bindjen për një sezon të suksesshëm

Elton Nika

Artim Pollozhani rikthehet në kampionatin shqiptar pas disa vitesh. Ka nënshkruar një kontratë me Flamurtarin, të cilit shpreson t’i shërbejë me përvojën e tij të gjatë. Futbollisti shqiptaro-maqedonas ka luajtur më parë në kampionatin shqiptar me Apoloninë dhe Dinamon, ndërkohë që kulmi i karrierës së tij është me Shkëndijën e Tetovës. 34-vjeçari nga Struga po ashtu ka veshur edhe fanellën e kombëtares së Maqedonisë. Pollozhani luan në mesfushë, në qendër të saj, por së fundi është aktivizuar edhe në mbrojtje. Në një intervistë ekskluzive për “Sport Ekspres” thekson me bindje se ka bërë zgjedhjen më të mirë. Pasi e ka parë skuadrën e tij të re në dy javët e përgatitjeve në Mavrovë, Pollozhani shprehet se Flamurtari do të jetë faktor në Superiore, ku do ta thotë fuqishëm fjalën e tij.

– Pollozhani, riktheheni në kampionatin shqiptar pas shumë sezonesh. Pse morët këtë vendim?

– Po, është një rikthim në kampionatin shqiptar. Kam bërë një zgjedhje mjaft të mirë për të ardhur te Flamurtari, një ekip me emër i futbollit shqiptar. Të shpresojmë të gjithë së bashku se do t’i realizojmë objektivat e klubit.

– Ju e keni përvojën tuaj në Shqipëri, por Flamurtari ka shumë lojtarë që vijnë për herë të parë këtu. Sa e vështirë do të jetë për grupin?

– Shpresoj që eksperienca dhe ndihma ime t’u vlej të gjithë lojtarëve, si atyre që për herë të parë janë bërë pjesë e kampionatit shqiptar, por edhe të rinjve, të cilët janë aktualisht te Flamurtari. Fakti që kam luajtur më parë në Shqipëri më ndihmon edhe mua në këtë rikthimi, por e rëndësishme është që skuadra të shkojë përpara, të jemi aty duke i marrë ndeshjet sipas radhës dhe më të shohim objektivat. Kam shumë besim se do të jemi si skuadër e fortë, besoj shumë te ky grup lojtarësh.

– Meqenëse jemi te objektivat. Deri ku mendoni se mund të arrijë ky Flamurtar?

– Është ndoshta pak shpejt ta themi, por minimalisht shkon në Kupat e Europës. Më mirë dhe me më shumë siguri do të flasim kur të kampionati. Nuk mund t’i bësh llogaritë në këtë periudhë, pasi  jemi ende në përgatitjet e sezonit.

– Keni mbyllur ndërkohë fazën dyjavore përgatitore në Maqedoni. Si ju është dukur skuadra?

– ishte një periudhë shumë e rëndësishme për skuadrën, me përgatitje intensive çdo ditë në Mavrovë, ku kemi marrë ngarkesat e duhura. Megjithatë, asgjë nuk ka përfunduar, pasi kemi edhe një tjetër periudhë dyjavore përgatitjesh dhe pas saj mund të nxjerrim konkluzione.

– Por keni luajtur tri miqësore, ku keni marrë dy fitore dhe një humbje…

— Pavarësisht se rezultati nuk vihet në plan të parë gjatë miqësoreve, them se edhe ai duhet. Kemi fituar dy ndeshje, ndërsa kemi humbur një në Gostivar. Por besoj se njerëzit kanë pak informacion për këtë takim, ku ne kemi goditur tri herë shtyllën, kemi pasur raste pa fund dhe kemi dominuar totalisht ndaj kundërshtarit. Futbolli të godet edhe me vetëm një rast. Unë do të thosha se Flamurtari ka nisur të prodhojë futboll dhe ne bashkë po ndihemi mirë në ekip. Do të jemi edhe më të fortë.

– Tani drejt Greqisë për dy javë të tjera. Mjafton për konsolidimin e grupit?

— Besoj se kjo do të jetë periudha e konsolidimit të skuadrës. Grupi është mjaft i mirë, me lojtarë dhe djem profesionistë. Tashmë na pret një periudhë e ngarkuar, ndërsa më pas mendojmë për kampionatin. Edhe ndeshjet miqësore në Greqi do të na ndihmojnë për këtë fakt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *