PROFIL | Nga lagjet e Tetovës te Kukësi, rrugëtimi i pazakontë i Valon Ethemit

21 vjeç, mesfushor, i lindur në Tetovë më 03.10.1997, prej dy vitesh pjesë e kuksianëve dhe një element premtues. Më 9 shtator 2017, luhej java e parë e Kategorisë Superiore dhe Kukësi e niste me statusin e kampionit. Ndeshja e parë për verilindorët ishte me Kamzën në “Zeqir Ymeri”, takim ky që u mbyll në shifrat 1-0, falë goli të Elis Bakajt me penallti. Shumëkush mund ta ketë harruar atë ndeshje, por jo Valon Ethemi.

Në minutën e 73-të, asokohe 19 vjeç, mesfushori zuri vendin e Shtubinës, duke marrë çelësat e krahut të majtë të mesfushës. Në tribunën kryesore shumë persona ishin të interesuar të dinin se kush ishte zëvendësimi i dytë i Mlladen Milinkoviç. Një i ri, i panjohur më parë me futbollin “e madh” të vendit tonë. Mjaftoi një inkursion pak sekonda para fundit që tifozeria të krijonte simpatinë për të.

“Nuk ke kurrë një mundësi të dytë për të dhënë një përshtypje të parë”. Ethemi u kujdes që ta bënte me shumë kujdes diçka të tillë, edhe pse ai vetë as e kishte menduar që do të luante me Kukësin që në ndeshjen e parë të kampionatit. Premiera e tij në elitë ishte ajo e duhura. Fillimi i mbarë gjysma e punës.

Një muaj më vonë, kur mesfushori kishte mbushur 20 vjeç, erdhi dhe goli i parë. Parandjenjë ndoshta nga ana e tij, pasi për takimin e dytë si titullar në Kukës kishin ardhur shumë familjar nga Tetova. Festa legjitime, emocione të mëdha, që pas ndeshjes e frenuan anësorin që të ishte po aq i shpejtë në prononcim sa në fushë.

Ethemi e pranoi: kishte qenë si një ëndërr që të bashkohej me Kukësin, e jo më të zbriste në fushë e të shënonte. 33 ndeshje në sezonin e tij të parë në Superiore, ndërsa tani regjistron mbi 50 të tilla në të gjitha garat me fanellën e verilindorëve.

Në ndeshjen me Lirinë e Prizrenit (miqësore kjo ku edhe shënoi golin e vetëm të ndeshjes), edhe pse në një moshë fare të re, 21-vjeçarit i erdhi radha për të vënë shiritin e kapitenit në krah. Një privilegj më vete, por nuk duhet harruar se në ndeshjen e këtij sezoni me Teutën, në fazën e parë, Ethemi ishte lojtari me më shumë ndeshje në fushë, pas daljes së Musollit.

HAPAT E PARË NË FUTBOLL – Gjithçka nisi në Tetovë, duke u aktivizuar me ekipin e moshave në zonën e tij. Fillimisht luajti me të rinjtë e Renovës, ku ishte dhe takimi i parë me futbollin. Shumë nga të rinjtë do ta kishin problem që të shkonin në një vend tjetër për të luajtur me moshat, aq më tepër në Shqipëri, por Ethemi bën përjashtim. Prezantimin me futbollin shqiptar e bëri te 19-vjeçarët e AF Dinamos. Mbi 20 ndeshje me skuadrën e kryeqytetit dhe më pas në kërkim të një hapi tjetër të rëndësishëm, për t’u integruar në futbollin që konsiderohet profesionist.

Te Mamurrasi e gjeti mundësinë për të luajtur dhe kudo vetëm në fushë mund të tregosh se sa vlen. Tetovari luajti sapo kishte mbushur 18 vjeç me skuadrën kurbinase, që garonte në Kategorinë e Parë. Presidenti Ded Ndreca ishte i “marrosur” pas tij. Mamurrasi ra një kategori më poshtë, por për Ethemin nisi ngjitja.

TESTI I MADH – Në provë te Kukësi. Milinkoviç u mjaftua me 30 minuta për t’i kërkuar drejtuesve emrin e lojtarit, i cili ishte mes 20 të rinjsh që po tentonin të bindin trajnerin serb. Një kontratë modeste në fillim dhe më pas, pjesa tjetër dihet tashmë.

Ç’është e vërteta, tetovari është një rekordmen. Kjo pasi askush në këto edicione që Kukësi luan në Superiore nuk ka arritur që në moshën e tij të koleksionojnë kaq shumë ndeshje. 55 takime mes Kupës, kampionatit dhe ndeshjeve në arenën ndërkombëtare. Ka gjetur dhe 5 raste rrugën e rrjetës.

Te Kukësi duket se po binden, se duke u dhënë besim të rinjve mund të marrin edhe produktin që ata kërkojnë. Por mund të kultivojnë edhe elementë premtues, me të cilët në të ardhmen të mund të bëjnë biznes duke i shitur jashtë vendit. Mesfushori nga Tetova po jep jo vetëm kontributin e tij për skuadrën, por dhe një “mësim” të vyer.

Ethemi është rritur shumë sa i përket anën profesionale, pasi fusha e lojës ta imponon diçka të tillë. Nëse flasim për ëndrra, më e madhja për të është që të veshë ngjyrat kuqezi, por dhe të kalojë në futbollin e madh, këtë herë pa thonjëza, pasi po flasim për atë europian. Para ka një karrierë të gjatë, por për mënyrën se si e ka nisur, nëse vijon me të njëjtën këmbëngulje, do ia dalë.

Nuk është e lehtë për një të ri që të ndryshojë ambient pa mbushur 18 vjeç, të jetojë larg shtëpisë dhe të provojë edhe hallet e Kategorisë së Parë, apo peshën e pretendimeve madhore të Kukësit. Deri tani Valoni ia ka dalë më së miri. E ardhmja, një mister për t’u zbuluar…

PËRGATITI: JURGEN ZELA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *