Profil, Mirel Josa / Nga Shpresa e mrekullive, te titulli i artë…

0

Katër dekada nëpërmjet arritjeve në katërkëndëshin e fushës së blertë, si futbollist e trajner

 

 

Nga Bedri ALIMEHMETI

 

Skeda

Emri: Mirel

Mbiemri: Josa

Datëlindja: 1 qershor 1963

Vendlindja: Tiranë

Roli: Mesfushor

 

Arsimimi:

Universiteti i Sporteve më 1988 diplomohet “mësues i edukimit fizik”

Kursi UEFA-s për trajner futbolli më 2005

Zotëron gjuhët e huaja: Anglisht, Italisht dhe Greqisht

 

Skuadrat me të cilat është aktivizuar si futbollist:

Të rinjtë e Tiranës 1978-1980

FK Tirana 1980-1991

Në kampionatin grek:

1991-1992 FC Aris (Selanik), 1992-1996 AO Kavalla, 1996-1997 Likus, 1997-1998 Aleksandropul, 1998-1999 Neapol, 1999-2000 Mijahona

 

Në skuadrat kombëtare:

Me ekipin e të rinjve më 1981 u aktivizua në nëntë ndeshje, në kampionatin ballkanik në Izmir të Turqisë dhe në atë Europian në Finlandë, ku arriti të shënojë edhe tre gola.

Me ekipin Shpresa U-21 nga viti 1982-1984 ka zhvilluar shtatë ndeshje dhe ka shënuar një gol ndaj U-21 të R.F. Gjermani

Me ekipin Kombëtar të Shqipërisë, ka zhvilluar 27 ndeshje dhe ka shënuar 1 gol.

 

Trofe të  fituar si futbollist:

Kampion me Tiranën katër herë në sezonet:

1981-1982, 1984-1985, 1987-1988 dhe 1988-1989

Fitues i tri Kupave të Shqipërisë:

1983, 1984 dhe 1986

 

Ekipet që ka drejtuar si trajner:

Mihajona (Greqi) 2000, Leonidhjo (Greqi) 2001, Kombëtaren e Shqipërisë (bashkë me Sulejman Demollarin) 2001, Akademia Futbollit “Iones” (Selanik) 2002-2003, Tirana 2003-2004, FK Lushnja 2004-2005, Skënderbeu 2005, Tirana 2005-2006, Shkumbini 2007-2008, Teuta 2009-2010, Vllaznia 2010-2011, Skënderbeu 2012 në vazhdim.

 

Trofe të fituar si trajner:

Kampion

Me Tiranën një herë: Në sezonin 2003-2004

Me Skënderbeun tri herë: Në sezonet 2012-2013, 2013-2014 dhe 2014-2015

Fitues i Kupës së Shqipërisë

Me Tiranën: Një herë në vitin 2006

Fitues i Superkupës

Me Tiranën një herë: Në vitn 2006

Me Skënderbeun dy herë:  Në vitet 2013 dhe 2014

 

Vlerësime:

“Mjeshtër i Merituar”, “Mjeshtër Sporti”, fitues i Anketës së gazetës “Sporti” (1985), bën pjesë në “Librin e Artë” të FK Tirana mes 15 futbollistëve më të shquar të të gjitha kohërave, “Nderi Sportit Shqiptar” (2000), “Çmimi i Meritës”(2015) nga shoqata “Sporti na bashkon”.

 

Mirel Josa ka hyrë tashmë në historinë e futbollit shqiptar si trajneri i skuadrës që u shpall 5 herë radhazi kampione e vendit, ku tri titujt e fundit i ka fituar nën drejtimin e teknikut tiranas. Në krye të stolit të Skënderbeut, 52-vjeçari ka arritur të jetë pjesë e një projekti të suksesshëm, të nisur 6 sezone më parë, e një ekipi, i cili tashmë synon edhe sukseset e mëdha në Kupat e Europës. Meritë të padiskutuar në ruajtjen e ekuilibrave të një Skënderbeu që nuk di të ndalet në Superligë ka sigurisht edhe trajneri Mirel Josa, i cili aftësitë e tij në futboll i ka shfaqur shumë herët, si lojtar i Tiranës dhe disa klubeve në kampionatin grek, por edhe me kombëtaren kuqezi.

Futbollist tejet i përgatitur, sidomos në aspektin fizik. Spikaste gjatë gjithë lojës, që nga minuta e parë deri te vërshëllima e fundit e gjyqtarit. Taktikisht i qartë dhe i lëvizshëm në gjithë hapësirat e kuadratit të fushës së lojës. Teknikisht i përsosur, i palodhur, i paepur, i sakrificave të pafundme dhe goditës i fuqishëm, veçanërisht me kokë. Në kohën kur luante thuhej: “e fut kokën aty ku të tjerët vendosin këmbën”, ndërsa ka shënuar në këtë mënyrë jo pak herë, disa nga të cilët kanë mbetur të paharruar në kujtesën e atyre që patën fatin ta shohin e ta duartrokasin për arritjet në fushën e blertë.

Por, Mirel Josa nuk ka spikatur vetëm si lojtar, por edhe si një strateg i vërtetë në rolin e trajnerit. Si në krye të skuadrave brenda ashtu edhe jashtë vendit, në rolin e trajnerit ai spikati dhe vijon të jetë ende i tillë, gjithnjë korrekt, i palodhur, në përkushtimin profesional, i saktë në ndërtimin e modulit të lojës dhe i veçantë në krijimin e strategjive për të prekur atë që synon. Ky është portreti si futbollist edhe si trajner i Mirel Josës, që sot pesëdhjetë e dy vjetori i ditëlindjes e gjen me një bilanc suksesesh gjithnjë në rritje.

Po, kur dhe ku nisi rruga sportive e Mirel Josës? Pikërisht aty, në rrugicën përpara shtëpisë së tij, në rrugën e “Elbasanit” ku ka qenë përqendrimi i hershëm i familjes së nderuar tiranase Josa. Më pas në oborrin e shkollës dhe sigurisht në fushën e “Pal Poçes”, buzë përroit të njohur me të njëjtin emër në Tiranë, ku ndër vite kanë “dërmuar” gjunjë e këmbë me dhjetëra talente si Ilir Pernaska, Arben Çela, Ramadan Shehu, Artur Lekbello etj. Më pas, talenti i Josës u kultivua në spartakiadat e pionierëve, që në ato vite zhvilloheshin rregullisht dhe në ekipet e grupmoshave të klubit “Tirana”, ku u evidentua si talent që premtonte të ardhme të sigurt si futbollist. Dhe gjatë gjithë kësaj kohe për asnjë çast nuk i është ndarë përkujdesja, mbështetja dhe inkurajimi i vazhdueshëm i të atit mjekut të njohur Dr. Shyqyri Josa.

Ndërkohë në vitet 70-të familja Josa vendoset me banim në bllokun e banesave “Mine Peza”, zonë e njohur kjo në Tiranë për dendurinë e sportistëve në të gjitha llojet e sportit. Aty Mireli gjeti: Agustin Kolën, Skënder Hodjen, Luan Metanin, Krenar Alimehmetin, Florian Rizën etj., pra disa nga shokët e skuadrës bardheblu me të cilët do të bënin “epokë” në vitet 80-të të shekullit të kaluar, duke vargëzuar tituj dhe lënë gjurmë në kupat e Europës nëpër stadiumet e Bukureshtit, Belfastit, Mynihut, La Valetës, Malmos etj. Në këtë periudhë ai ndiqte shkollën e mesme në Politeknikumin “7 Nëntori”, ku i nxitur nga trajnerët Luigj Bytyçi, Fatmir Frashëri e Enver Shehu ai ndryshon rrugën e arsimimit dhe ndjek studimet në Universitetin e Sporteve për “Mësues i edukimit fizik”, studime të cilat i kreu në vitin 1988 dhe deri në vitin 1991 ushtroi profesionin e tij në Liceun Artistik “Jordan Misja”.

Në vitin 1980, në moshën 17 vjeçare vesh për herë të parë fanellën peshërëndë bardheblu, të cilën që i vogël e kishte ëndërruar. Në këtë kohë është aktivizuar në ekipin përfaqësues të të rinjve të Shqipërisë në kampionatin ballkanik të Izmirit në Turqi dhe në atë Europian në Helsinki të Finlandës, ku u dallua edhe si shënues. Në sezonin 1981-1982, pra kur ishte vetëm 19 vjeç, me Tiranën fiton titullin e parë kampion. Kurorëzimi skuadrës është bërë në stadiumin e Gjirokastrës pas përballjes së fundit me Luftëtarin vendas, ndërkohë që titulli ishte siguruar një javë më parë. Pas këtij rikthimi të Tiranës pas 12 vitesh te titulli kampion, vjen pjesëmarrja e parë e Josës në Kupën e Kampioneve. Rivalja e Tiranës është Linfild e Belfastit, kampione e Irlandës së Veriut. Me fitoren në Tiranë 1-0 (gol i Kolës) dhe humbjes në Belfast 1-2 (gol i Mingës), sigurohet kalimi për në turin e dytë. Dhe në këto përballje padyshim ka dhënë kontributin e tij edhe i riu Mirel Josa, i cili ndërkohë është edhe pjesëtar i padiskutueshëm i ekipit kombëtar Shpresa U-21, që drejtohej nga tekniku Ramazan Ragami dhe Petraq Ikonomi.

Edhe pse kanë kaluar diss vite, në kujtesën e dashamirësve të futbollit shqiptar është e ende e fortë performanca mbresëlënëse e atij ekipi të paharruar, që më pas u bë baza kryesore e Kombëtares së Shqipërisë së teknikut Shyqyri Rreli, një përfaqësuese e cila na e solli aq pranë ëndrrën për të marrë pjesë në Botërorin “Meksikë 1986”. Ishte vërtet një ekip “ëndrrash”, i cili i kapërceu me sukses ndeshjet kualifikuese dhe u bë pjesë e tetë skuadrave U-21 më të mira të kontinentit. Merita është e të gjithë djemve, por nuk duhet harruar fakti, që “biletën” për t’u ngjitur në këtë shkallë të lartë të futbollit europian, e siguroi mesfushori bardheblu Mirel Josa, falë golit të rrufeshëm  në përballjen me U-21 e RF Gjermane të asaj kohe, realizuar më 19 nëntor 1983 në Trier. Vetëm tri minuta kishin kaluar nga goli i gjermanëve me autor Michail Rumenike, kur Mirel Josa shënon duke tronditur gjithë ambientin e futbollit gjerman. Me rezultatin 1-1, skuadra U-21 e Berti Vogts mbetet jashtë kompeticionit europian. Më tej, ekipi U-21 i Shqipërisë u eliminuan me vështirësi nga Italia (0-1 dhe 0-1).

Pas këtij suksesi, më 17 tetor 1984 në “Hejsel” të Brukselit, Mirel Josa zbret që nga minuta e parë në përbërje të ekipit kombëtar në përballjen ndaj Belgjikës të Gi Thys. Një ndeshje mbresëlënëse e kuqezinjve tanë që përfundoi 3-1 për vendasit, pa harruar që deri në 84′ rezultati qe i barabartë 1-1. Dy javë më pas më 31 tetor në Mielec të Polonisë, formacioni i teknikut Rreli, padyshim me 21 vjeçarin Josa në formacion bashkë me pesë bardheblu: Mingën, Kolën, Muçën, Hodjen e Omurin si edhe me Mustën, Demollarin, Targajn, Eksarkon, Lamen, F. Ragamin e H. Ballgjinin befason (2-2) Poloninë e Boniekut, ndërsa kryesoi (1-2) deri në 76′.

Por, nuk mbaron këtu. Vetëm tri javë më vonë, ekzaktësisht më 22 dhjetor 1984, djemtë e Rrelit gjunjëzojnë 2-0 “djajtë e kuq” të teknikut të sprovuar Gi Thys, që kishte në formacion emra të mëdhenj si Shifo, Kuleman, Pfaff, Van der Elst etj. Dhe rrugën e fitores ndaj Belgjikës në këtë takim e hapi goli me kokë i Mirel Josës në 69′, që u pasua nga i Arben Mingës 86′.

Kështu nëpërmjet suksesesh gjithnjë në ngjitje vijoi rruga si futbollist e Mirel Josës, vazhdimisht me fanellën nr.3 bardheblu në njëmbëdhjetë sezone futbollistike deri më 1991, kur u largua nga Shqipëria dhe Kombëtarja me të cilën zbriti në fushë në 27 përballje. Më pas karriera e tij vijoi në kampionatin helen deri në vitin 2000, kur vendosi t’i jepte fund futbollit të luajtur.

Pasi u tërhoq nga futbolli i luajtur, Mirel Josa vendosi t’i përkushtohet përfundimisht profesionit të trajnerit. Tashmë prej pesëmbëdhjetë vitesh në “timonin” e shumë skuadrave, rritja tekniko-profesionale dhe aftësitë përgatitëse e drejtuese të tij kanë mbërritur në nivele të cilësisë së lartë të futbollit bashkëkohor. Dëshmojnë për këtë më së miri, arritjet si kur drejtonte Tiranën në fitimin trofeve dhe sidomos Skënderbeun e Korçës, të cilin si rrallë kush për tre vite radhazi e ka mbajtur në podin e ekipit kampion, pa harruar punën shumë profesionale që ka bërë në klubet e Lushnjes, Vllaznisë së Shkodrës e Teutës së Durrësit.

 

 

“Dinastia Josa”

Përse të mos e quajmë një dinasti sportive familjen e nderuar e të respektuar tiranase Josa. Aq më tepër kur më së miri për këtë flasin faktet. Më parë se Mireli, futbollist në fushën e lojës ka zbritur i ati, mjeku i nderuar Dr. Shyqyri Josa, i cili në fillim të viteve 60-të ka luajtur me Naftëtarin e Kuçovës në vitet e parë të punës si mjek. Shumë vite më vonë qe dhe vijon ende Mireli. Po kështu edhe bashkëshortja Brunilda e bija e “Mjeshtrit të Madh” Shyqyri Rreli, u dallua shumë si volejbolliste në ekipin e Dinamos, por një dëmtim i rëndë e detyroi të ndërpresë karrierën sportive. Ndërkohë Lorna, vajza e tyre është dalluar si basketbolliste te Tirana dhe Studenti.

 

Goli, që tronditi Gjermaninë

Ka ndodhur më 19 nëntor 1983 në Trier të Gjermanisë. Në përballjen midis U-21 të Gjermanisë e Shqipërisë, tri minuta pas golit të Michael Rumenikes, ka qenë Mirel Josa, që ka barazuar rrufeshëm me kokë. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes trajneri Berti Vogts nuk i resht komplimentet për trajnerin Ramazan Ragami, djemtë e ekipit të tij dhe sidomos për Josën që shënoi që goli që tronditi ambientet e futbollit Gjerman.

 

Batuta e Ismet Bellovës

Gjatë transmetimit radiofonik të ndeshjes Shqipëri-Belgjikë më 22 dhjetor 1984, kur Mirel Josa në 69′ ka shënuar me kokë golin e parë në portën e portierit më të mirë në botë Pfaff, radiokomentatori ynë legjendar Ismet Bellova i emocionuar nëpërmjet mikrofonit e përcolli lajmin me këto fjalë: “Ka shënuar ish-nxënësi im në politeknikumin “7 Nëntori” Mirel Josa.

 

Goli, që shkarkoi Luçeskun

Ka ndodhur më 1 tetor 1986 në ndeshjen e kthimit me Dinamon e Bukureshtit, në turin e parë të Kupës së Kupave. Në 2′ Minga e kishte kaluar Tiranën në avantazh. Tri minuta para përfundimit barazon për rumunët Kamataru, por në minutën e fundit goli Josës e “gjunjëzon” përfundimisht superskuadrën rumune. Pas kësaj trajneri i njohur Mirçea Luçesku jep dorëheqjen.

 

Pengu “Uembli”

E cili është ai futbollist që nuk e ka ëndër të zbresë në fushën e “Uemblit” magjik? Askush. Këtë ëndërr si të gjithë sigurisht e kishte edhe Mirel Josa, aq më tepër që në “Qemal Stafa” më 8 mars 1989 kishte luajtur me dinjitet ei barabartë ndaj Batcher, Barns, Robson, Rocasell, etj. Por, një vendim totalisht absurd, i atij pushteti të mbrapshtë ia mohoi këtë gjë.

JOSA2

 

JOSA1

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image