Problemi i Teutës, mungon një golashënues

“Djemtë e detit” presin që të gjejnë golat e sulmuesve, për të synuar pretendimet madhore që i kanë vënë vetes

Në Durrës ka kohë që besojnë se ky mund të jetë edicioni i tyre dhe entuziazmi nuk ka rënë, as pas humbjes së parë shtëpiake, kundër Flamurtarit. Pas ndeshjes me të drejtë trajneri Gugash Magani deklaroi humbja ishte e mirëpritur kaq herët, sepse jep mundësinë që gabimet të korrigjohen. Me shumë ndryshime në organikë bregdetarët do të tentojnë që këtë edicion t’i rikthehen zonë europiane që në fund të sezonit të jetë ajo “hirushja” e sezoni, diçka që me teknikun Magani e kanë arritur dhe dy vite më parë.

Edhe pse gjërat duket se po shkojnë mirë për Teutën, bie në sy fakti se problemi i vetëm është reparti i sulmit. Edhe pse deri më tani kanë shënuar në të treja ndeshjet, nuk mund të anashkalohet fakti se 3 nga katër golat e shënuar kanë ardhur nga mesfushorët dhe vetëm një realizim i përket sulmuesit Ardit Shehaj. Edhe në ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë, kundër Tërbunit, u pa se skuadra vuajti shumë për të gjetur golin dhe golat u gjetën në 10 minutat e fundit të ndeshjes. Pritshmëritë janë më të mëdha për repartin e avancuar, ku shpresohet që veç Shehajt të kontribuojë dhe sulmuesi ganez Latif me golat e tij, pasi në kampionat ende nuk e ka bërë “sefte”. Po ashtu dhe nga nigeriani Onieka Osemene, i cili ka pasur minutat e tij në të tre javët e kampionatit. Ambiciet mund të jenë të mëdha, por është e qartë që në Shqipëri shkojnë larg vetëm skuadrat që e kanë nga një lojtar goli. Jo më kot, Flamurtari triumfoi në Durrës me dy gola nga Bushiç, ndaj duket qartë që Teuta ka një problem jo të vogël në këtë moment.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *