Probleme me vizën britanike? Abramoviç bëhet… izraelit!

Miliarderi që zotëron Çelsin, Roman Abramoviç, do të pajiset me pasaportë izraelite dhe do të transferohet në Tel Aviv, ka bërë të ditur një zyrtar i qeverisë së Izraelit.

Abramoviç ka kohë që po pret të rinovojë vizën britanike, që i ka skaduar, ndaj tashmë e ka humbur durimin dhe do të ndryshojë shtetësi, për të mos pasur probleme, pas tensionit politik mes Britanisë së Madhe e Rusisë.

Ministri i brendshëm izraelit ka konfirmuar lajmin, ndërsa një zëdhënës i qeverisë izraelite deklaron: “Roman Abramoviç mbërriti në ambasadën izraelite në Moskë si çdo njeri tjetër. Ai dorëzoi një kërkesë për të marrë një leje emigracioni, dokumentet e tij u kontrolluan dhe ai i plotësonte të gjitha kriteret”.

Sipas gazetës më të madhe izraelite, Yedioth Aharonoth, Abramoviç ka qenë të hënën në Tel Aviv dhe ka marrë dokumentet, që do të thotë se tashmë është qytetar izraelit. Thuhet se ka blerë edhe një pronë në qytet, një ish-hotel në bregdet.

Izraeli i jep pasaportë çdo personi hebre që kërkon të transferohet në Izrael dhe pasaporta jepet menjëherë. Personat me pasaportë izraelite mund të hyjnë në Britaninë e Madhe pa vizë për periudha të shkurtra, edhe pse u duhet vizë pune.

Abramoviç, i cili është hebre dhe ka qenë vizitor i rregullt i Izraelit, i ka dhuruar miliona këtij shteti për kërkime dhe projekte zhvillimi, si dhe ka investuar në firma vendase.

The Times of Israel shkruan se Abramoviç nuk do të paguajë taksa në Izrael për 10 vite, si dhe nuk është i detyruar të japë shpjegime për burimin e pasurisë së tij. Me rreth 9 miliardë euro pasuri, Abramoviç do të bëhej personi më i pasur në Izrael.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *