Prizren, lidhja shqiptare e futbollit

Çfarë po ndodh me futbollin në Kosovë? Cila është skuadra që këtë vit vendosi të kishte një projekt mbarëkombëtar? Përse me të drejtë nuk përmendet më ideja e një lige të përbashkët dhe çfarë rezervon e ardhmja për futbollin e shqiptarisë. Kufijtë u thyen!

Artur Magani, sulmues, ka lindur në Peqin, ndërkohë që dy vitet e fundit ka luajtur në Durrës me Teutën. Portieri Mikel Kaloshi ka lindur në Lushnjë dhe ka luajtur së fundmi në Berat. Të dy bashkë janë takuar më parë për 6 muaj rresht në Gramsh, ndërkohë që për momentin gjenden në Ohër. Janë lojtarë të Prizrenit. Shqipëria e madhe është shumë e vogël.

Drejtori i klubit Liria, Erxhani, ish-futbollist i Prizrenit në fillimin e viteve 90’, i sheh uniformat e reja jo pa kënaqësi. Ato janë Ulhsport, ngjyrat si gjithnjë bardhezi. “Ndoshta na sjellin fat”, thotë me vete. Gjendet aty prej vitesh dhe asnjëherë më parë që nga viti 1994, ambienti nuk është kaq euforik. Një nga miqtë më të mirë të Erxhanit, Mirsadi, është kryetar i klubit. President, si i thonë në Shqipëri. të dy kanë qenë pjesë e skuadrës bujëmadhe të Prizrenit që fitoi titullin në vitin 1995. Kanë qenë futbollistë asokohe dhe fotot e tyre gjenden kudo në stadiumin e vogël të qytetit. Dy vite përpara se të fitohej kampionati, futbolli në Kosovë vendosi të bojkotonte ligën jugosllave. Nuk ishte e thjeshtë. Shumica e skuadrave e skuadrave kishin trajnerë serbë dhe lojtarë serbë. Në shumicën e skuadrave madje flitej serbisht. Pastaj, futbolli në ish-Jugosllavi ishte shumë i bukur. Ajo jugosllave ish ndër ligat më të forta në Europë dhe madje edhe 2 kategoritë inferior ishin shumë interesante. Prizreni nuk e festoi titullin në stadiumin ku luan sot e ku ka luajtur kudo. Kampionati Kosovës luhej në kushte ilegale dhe serbët kishin bllokuar stadiumet qendrore të vendit. Luhej praktikisht nëpër livadhe e lëndina. Vëllai i Mirsadit asokohe ishte luftëtar. Kish luftuar në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë. Vetë Mirsadi kish luajtur futboll në Bosnjën kroate, ndërkohë që trekëndëshi i projektit ndodhet në Zvicër. aty jeton Toni, miku i përbashkët i tyre, një biznesmen i suksesshëm që një vit më parë sponsorizoi dhe në Superiore, ndërsa këtë vit ka vendosur që të hedhë një sasi të konsiderueshme të “hollash” për Prizrenin.

Iris Selimi, ka lindur në Vlorë, është shkolluar në Itali dhe për disa vite ka punuar me Skënderbeun. Sot ai është përgatitësi atletik në Prizren, një nga njerëzit më të afërt të Bledi Shkëmbit, trajnerit të skuadrës, një emër i rëndësishëm që nuk ka nevojë për prezantim. Për Shkëmbin, kjo është aventura e parë e tij si trajner. Futbollin e la në 2016 duke marrë 6 tituj radhazi m korçarët, ndërkohë që sezonin e shkuar punoi në rolin e opinionistit në Supersport. Për të kompletuar lidhjen shqiptare, një metaforë referuar dhe asaj çka ofron në përgjithësi historia e këtij qyteti, duhet të përmendësh dhe Nderim Nexhipin, shqiptarin nga Shkupi, gati një ikonë i kohëve moderne te Partizani, njeriu i cili bëri lidhjen mes drejtuesve dhe trajnerit. “Pse, jo, Shkëmbi?!”, mendoi Nexhipi, që tani po mendon dhe ceremoninë e lamtumirës nga futbolli. “Pse jo, Liria?!”, mendoi Shkëmbi. Mjaftoi një shtrëngim duarsh për t’u bërë zyrtare. Nexhipi u shfaq në stadiumin e Ohrit javën e shkuar për të parë pjesën e dytë të ndeshjes Pobeda-Liria. Pjesa e parë kish përfunduar 1-0 për maqedonasit, dhe realisht ai nuk kish humbur asgjë. Sidomos në 15 minutat e para skuadra nuk po luante mirë. Në fund 2-1 për shqiptarët. Magani dhe Gavazaj shënuan gol. Gavazaj quhet Zenel, është vëllai i vogël i Enisit që luan me Skënderbeun dhe ende nuk ka përfunduar maturën në gjimnaz. Është 17 vjeç. Prindërit mund të ishin kursyer me emrin, por patjetër që nuk janë kursyer me gjenin. Është dhe ky një talent. “Në maj luajta në Prizren si kundërshtar – të thotë Nexhipi – ishin katastrofë, mezi i shpëtuan rënies. Tani gjithçka paska ndryshuar”. Liria sezonin e shkuar mori 37 pikë në 33 ndeshje. Masakër”. Po si kanë shpëtuar? Në Kosovë kampionati ka 12 skuadra dhe luhen 3 faza. 2 dalin direkt, ndërsa dy bëjnë play out. Liria doli e teta. Ata që merren me probabilitet duhet të shqyejnë sytë. 22 ndeshje, 27 pikë, i teti nga 12 ekipe, ndodh njëherë në 100 vite. Diçka po ndryshojmë, të thotë dhe Bekim Bala, ndihmësi i Shkëmbit, ndërkohë që Robert Gjura, kapiteni i skuadrës, e nuhat që ky mund të jetë një sezon ndryshe. Në 2009 ai u nis për të firmosur me Vllazninë, por vdekja t ë atit e ktheu pas në familje. Një vëlla kishte në emigracion, dikush duhet të mendonte për shtëpinë.

Stefan Kocev, maqedonas, do luajë këtë sezon në Prizren. Ai ka shumë talent, dhe është lojtar i fortë. Në miqësoret e luajtura është paraqitur mirë, madje ka shënuar dhe gol. Një mbrëmje teksa kthehej në apartament, kishte harruar që ora kish kaluar lejen e vendosur e klubit. Shkëmbit nuk i shpëton asgjë. I ulur në një prej bareve më interesante të qytetit, ai pa futbollistin e tij që ende nuk gjendej në regjim shtrati. Askush tjetër nuk e vuri re. Të nesërmen në analizë tonet u ngritën disi. Kjo ishte hera e parë, ndërsa e dyta ishte në pushimin e ndeshjes kundër Teteks të Maqedonisë. Pjesa e parë kish përfunduar 0-0. “Nëse nuk i mundni në pjesën e dytë, do shkoni në hotel në këmbë”, u tha Shkëmbi të tijve. Nga fusha e Ohrit deri në hotel ishin 15 kilometra. Ata nuk e bënë në këmbë, e bënë me autobus. Fituan 2-0. Kocev shënoi një nga golat. Atë mbrëmje Shkëmbi ishte në shoqërinë e Dashnorit, Dokit, një personazh që e njeh gjithnjë qyteti, pronari i një prej pabeve të qytetit, simpatizant madje dhe kontribuues në klub. Në Prizren kanë një ide fikse. Njerëz si Doki, tifozë dhe dashamirës, t’i afrojnë sa më shumë në klub. Klubi për momentin është shoqatë jo fitimprurëse, por drejtuesit janë duke menduar ta shndërrojnë në shoqëri aksionere. Bashkia kontribuon me një pjesë të konsiderueshme, ndërkohë që sponsorët janë shtuar dhe tani buxheti i sezonit shkon diku te 350 mijë euro. 25% e kësaj shume shkojnë për udhëtime grumbullim, bazë material, strehim dhe ushqim. Lojtarët gjatë gjithë vitit do qëndrojnë pothuaj të grumbulluar. Stadiumi është i vogël. Ka vetëm një tribunë funksionale, por të thonë që në raste të veçanta janë dhe 5 mijë tifozë. Kaq priten në ndeshjen e dytë ku vizitor në Prizren do jetë Trepça 89, kampionia në fuqi e vendit. Stadiumi do ribëhet nga e para dhe do ketë 8 mijë vende të ulura, do jenë dy tribuna të mbuluara dhe do ketë dhe ndriçim. Punimet sapo kanë nisur dhe mund të duhen 2 vite për të mbaruar. Ideja e drejtuesve është që në harkun e tre viteve, të ardhurat të mbulojnë shpenzimet. Sponsorizime, pjesëmarrje në kupat e Evropës dhe shitje lojtarësh do jenë burimi kryesor. Këtë sezon do vihen themelet. Synohet të paktën vendi i tretë dhje finalja e kupës. Fituesja e kampionatit dhe fituesja e kupës shkojnë në Europë. Kaq për momentin, por me siguri në harkun e 2-3 viteve UEFA do e rrisë numrin e skuadrave që do luajnë në Europa Ligë.

Në përgjithësi në Kosovë është një verë e nxehtë. Hapja ndaj Europës dhe të mos qenit më të izoluar ka ndikuar ndjeshëm. Investimet kanë nisur jo vetëm në burime njerëzore, por dhe në infrastrukturë. Retorikat pa asnjë sens ekonomik për një ligë të përbashkët janë harruar. Liga mbarëkombëtare është një romanticizëm i madh, por kur sheh që futbolli është një biznes dhe që të gjithë duan të zhvillohen, të luajnë në Europë dhe të identifikohen si ligë më vete, e kupton që hë për hë është e pamundur. Tre vite më parë shumëkush klithte për ligën e madhe. Sot po investohet të fitohet në ligën e Kosovës. Remziu për shembull, presidenti i Prishtinës, nuk ka më ambicie ëpr të luajtur në kampionatin shqiptar. Nga pjesëmarrja në Europa League këtë verë klubi përfitoi 230 mijë euro. Thonë që ky do jetë kampionati më interesant që nga koha e fillimit të luftës, por të gjithë kujtojnë me nostalgji vitin 2008, kur pati një bum investimesh me ndjesinë se pavarësia do vijë shumë shpejt në futboll. UEFA e njohu Kosovën në 2015. Shumica e investimeve vijnë nga diaspora dhe klubet kanë minimum secili 300 mijë euro buxhet. Tre favoritët kryesorë janë Prishtina, Trepça ’89 dhe Drita e Gjilanit. Liria në javën e parë do luajë një derbi në Gjakovë dhe më pas do ndeshet pikërisht me këto tre skuadra për të kompletuar një short ferri në 4 javët e para. “Sa më shpejt aq mirë”, mendon Shkëmbi. “Super. Për momentin askush nuk na llogarit pretendentë. Këtë mund ta kthejmë në favor”.

Liria ka luajtur deri tani 6 ndeshje miqësore dhe i ka fituar që të gjitha. Fitorja me Pobedën shijoi më shumë, por jo më pak si tregues force ishte dhe triumfi 3-0 me Laçin në Pogradec. Skuadra tani mundtë ë quhet e plotë. Në qendër të mbrojtjes luajnë Endri Vrapi dhe Elton Basriu. Vrapi së bashku me Dallkun dhe Currin e Prishtinës mund të konsiderohet një ndër 3 lojtarët më me përvojë dhe më fitues i kampionatit. Ai ka fituar tituj në Shqipëri me disa skuadra, ndërkohë që ka luajtur për disa vite edhe me ekipin kombëtar. Basriu është një mbrojtës modern, por shpesh në Shqipëri i nënvlerësuar. Gashi dhe Mustafa janë dy lojtarë me potencial të madh në mesfushë, ndërkohë që dy yjet e së ardhmes janë Koronica dhe Zeka. Ky i fundit, nëse do ishte pak më i qetë përpara portës, do luante në një ligë të madhe europiane. Është 23 vjeç, ka një trup perfekt, një shpejtësi trullosëse dhe forcë të lindur. “Surpriza e kampionatit do jetë Kote”, thotë drejtori Erxhan. Kristi Kote sapo ka mbushur 18 vjeç dhe është korçar. Ka luajtur me të rinjtë e Skënderbeut dhe për herë të parë ka dalë nga shtëpia. “Më duhet të regjistrohem në shkollë në Prizren – të thotë – kam dhe një vit gjimnaz për të bërë”. Kush e kishte menduar. Mbrëmjen e maturës nuk do ta bëjë në qytetin e tij. Në mesfushë së bashku me Koten, Mustafën e Gashin do jetë dhe Jetmir Sefa. Në 2005 ai u përzgjodh nga të rinjtë e Tiranës nga trajneri Menikini. Italiani e konsideroi një talent dhe nuk gaboi. Ai në karrierë ka fituar shumë me Tiranën e Skënderbeun. Disa gjëra nuk i bëri si duhet dhe më pas nuk luajti në nivele shumë të larta, por ka përvojën dhe karakterin që të jetë përcaktues në një ambient që e njeh pak, por si i thonë fjalës, “futbolli ka të njëjtën gjuhë”. Nëse pastaj flasim dhe të njëjtën gjuhë, atëherë është më e thjeshtë për t’u kuptuar.

Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë. Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman. Liria e Prizrenit është projekti i parë që jo rastësisht bashkoi shqiptaret e Shqipërisë dhe Kosovës në tokën që më së fundi ka lënë pas izolimin dhe tani e sheh sportin si mundësi identifikimi dhe zhvillimi. Në çdo dy vetë njëri nga “andej”, të thonë me shaka, sepse “andej” është Shqipëria ose Kosova dhe ajo që po ndodh në Prizren është shembull i qartë se nëse jemi “një” mund të jetë e bukur. Por ndoshta dhe fituese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *