Privatizimi i Vllaznisë, gati edhe Xhevdet Amuli

Pas kandidaturës së ish-presidentit Fushaj, del në skenë edhe ish-zv.presidenti Amuli, i cili e shpreh hapur mbështetjen për kolegun e tij, si disa vite më parë

Gaspër Marku

Në Shkodër duket se po mendojnë seriozisht çështjen e privatizimit të klubit “Vllaznia”. Një çështje, që realisht ka kohë që është përparësi nga ana e bashkisë, ndërkohë që opinioni sportiv mezi po e pret. Në fakt, nga Bashkia Shkodër kanë ardhur sinjale pozitive në drejtim të hapave që çojnë drejt këtij procesi. Pak kohë më parë, ish-presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, doli hapur dhe deklaroi se është gati ta marrë administrimin e klubit të futbollit i vetëm, por edhe me një përqindje bashkëpunimi në minorancë nga ana e baskisë. Pra, duke pasur ai 75% të aksioneve. Një deklaratë kjo që pati një jehonë jo të vogël në opinionin sportiv shkodran dhe më gjerë edhe për faktin e situatës aspak të mirë që po kalon futbolli shkodran gjatë kësaj periudhe. Dhe pa shkuar fort larg nga deklarata e Fushajt, në skenë ka dalë një edhe një tjetër alternativë e gatshme për të qenë pjesë e procesit të privatizimit të klubit të futbollit. Bëhet fjalë për Xhevdet Amulin, bashkëpunëtorin më të afërt të ish-presidentit Valter Fushaj, i cili gjatë gjithë periudhës së drejtimit të këtij të fundit, ka mbajtur pozicionin e zv.presidentit kuqeblu. Për hir të së vërtetës, Amuli është një njohës shumë i mirë i situatës në klubin shkodran, sepse krahas rolit të zv.presidentit, në mandatin e ish-kryebashkiakut Lorenc Luka ishte edhe anëtar i Bordit Mbikëqyrës së Vllaznisë. Po ashtu, në rininë e tij ka qenë ndër sportistët më të spikatur të Vllaznisë në sportin e peshëngritjes.

Në një prononcim për “Sport Ekspres”, krahas ecurisë së skuadrës kuqeblu në këtë kampionat, përfshirë edhe ndërrimin e stafit teknik, Amuli është ndalur edhe te privatizimi i klubit. “E kam theksuar edhe herë të tjera se Vllaznia duhet të kalojë nën administrimin e komunitetit të biznesit. Një gjë të tillë e kam deklaruar edhe gjatë të gjithë periudhës së mëparshme, kur drejtonte ish-kryebashkiaku Lorenc Luka. Të njëjtën gjë përsëris edhe tani, madje edhe më me forcë, sepse siç po e konstatojmë të gjithë, është diçka e domosdoshme”, – shprehet Amuli. Por ajo që tërheq më tepër vëmendjen është gatishmëria e tij për të qenë pjesë e procesit të privatizimit të Vllaznisë. I njohur si një nga biznesmenët e suksesshëm të qytetit verior, Amuli edhe herë të tjera është shprehur pozitivisht për këtë proces, por asnjëherë për të qenë kandidat më vete. Sipas tij, bashkimi i një grupi biznesmenësh është mënyra më e mirë për ta mbajtur me financa me baza të shëndosha Vllazninë, me objektiv formimin e një skuadre pretendente për trofe. Edhe kësaj radhe ai i qëndron kësaj teze, por tashmë me një ndryshim, të jetë në krah të ish- presidentit Fushaj për të marrë në administrim Vllazninë. Janë të dy miq dhe ardhja e tyre në krye të Vllaznisë sigurisht që do ta ndihmonte shumë futbollin shkodran.

“E kam ndjekur me vëmendje deklaratën e Valterit në “Sport Ekspres” dhe, me thënë të drejtën, më është bërë qejfi që ai ka ambicie për të marrë Vllazninë. Në fakt, për vete kontributin e suksesshëm që ai në klubin “Vllaznia”, kandidatura e tij duhet marrë në konsideratë dhe me përparësi, jo vetëm për garancitë financiare që ofron, por edhe për atë që ai e njeh me mirë se kushdo situatën te Vllaznia. Do të ishte më e lehtë të bëhej kthesa e kuqebluve në rezultate”, – thotë Amuli. Më tej ai bën të ditur se e ka diskutuar edhe mikun e tij Fushaj një gjë të tillë dhe se është gati që të financojë në një përqindje të konsiderueshme, duke qenë në krah të tij, si më parë. Tashmë mbetet për t’u parë si do të avancojë situata rreth kësaj teme, kur menjëherë pas Fushaj në skenë ka dalë publikisht edhe Xhevdet Amuli. Tashmë topi është në anën e bashkisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *