“Çmenduria” e shekullit për Alan, një fantazist spanjoll për Ançelotin

PSG e ka bërë hapin e parë zyrtar dhe i ka ofruar Napolit 80 milionë euro për kartonin e Alan. Mesfushori brazilian është një kërkesë e trajnerit Tuhel dhe klubi francez po insiston prej ditësh që të arrijë akordin me presidentin De Laurentis.

Alanin e pret një rrogë prej 6 milionë eurosh në sezon (trefishin e aktuales) dhe 28-vjeçari mezi po pret të transferohet në Paris dhe të bashkohet me brazilianët e tjerë si: Nejmar, Tiago Silva dhe Dani Alvesh.

Napoli ka rritur pretendimet dhe tashmë kërkon 120 milionë euro për Alan, por oferta prej 80 milionë eurosh e PSG, që përfshin dhe bonuse si dhe një partnership në të ardhmen me Qatar Airwys, po e tundon Aurelio De Laurentisin.

Italianët po mendohen, por në fillim duan të gjejnë zëvendësuesin e brazilianit dhe dëshirat janë dy: Nikolo Barela i Kaljarit dhe Stanisllav Lobotka i Selta Vigos.

Nga ana tjetër, Napoli është pranë sigurimit të shërbimeve të një fantazisti. Ai quhet Pablo Fornals, është 22 vjeç, luan me Vijarealin dhe cilësohet si një nga talentët më të mëdhenj të futbollit spanjoll. Akordi me lojtarin është arritur dhe siç citon “Corriere dello Sport”, Napoli është gati t’i ofrojë një kontratë 5-vjeçare me një rrogë prej 1.5 milionë eurosh në sezon, duke fituar konkurrencëm me Barcelonën, Arsenalin, Uest Hemin dhe Fulhemin.

Fornals aktivizohet në rolin e mesfushorit të avancuar, por i bën mirë të gjitha rolet e mesit të fushës. Ai pëlqehet shumë nga trajneri Ançeloti, ndërsa tashmë ka mbetur të arrihet akordi me klubin spanjoll. Klauzola e lojtarit është 28 milionë euro, që mund të rritet në mënyrë të njëanshme nga Vijareali në 33 milionë euro.

Të presim se çfarë do të ndodhë, por lojtari ka miratimin e plotë të Napolit dhe Ançelotit”, thekson agjenti Alberto Toldra. Napoli pret të mbyllë huazimin e Rog te Sevilja dhe më pas, De Laurentis do të paguante menjëherë milionat e kërkuara nga Vijareali dhe Fornals, i cili ka humbur vetëm një ndeshje kupe këtë sezon me “nëndetësen e verdhë” dhe numëron dy ndeshje me kombëtaren e Spanjës, do të niste aventurën italiane me ekipin e Ançelotit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *