Prishtina mundet në Drenicë, Trepça barazon me sherr

Një gol nga Osman Mëziu në fillim të pjesës së dytë i ka dhënë fitoren 1-0 Drenicës kundër Prishtinës, me skuadrën e Mirel Josës që gabon sërish dhe tashmë mund të humbasë kreun e Superligës se Kosovës, krejt papritur, sepse para pak javësh dukej e pandalshme.

Ndërkaq, sfida mes Llapit dhe Trepçës ’89 dhuroi spektakël në fushën e lojës, teksa u shënuan plot 6 gola, nga 3 për çdo skuadër, por fundi nuk ishte në lartësinë e ndeshjes.

Një incident mes pankinave ka bërë që policia të tentojë të arrestojë ndihmësin e Gugash Maganit te Trepça, por ndërhyrja fillimisht e trajnerit peqinas dhe më pas e arbitrit kryesor të takimit, ka sprapsur forcat e policisë.

Magani ka pasur rezerva mbi sjelljen e forcave të policisë, të cilat nuk e dinë detyrën e tyre, sipas tij: “Më vjen keq vetëm për një gjë. Nuk kam asgjë me pjesën e tifozerisë, që ishte gjithmonë në mbështetje të skuadrës së vet, por më vjen keq për sjelljen e policisë për zyrtarin e ekipit tim dhe për mua. Më vjen keq, sepse nuk e di se çfarë detyre duhet të ketë policia në një ndeshje zyrtare futbolli. Kjo është gjë që nuk duhet të ndodhë, është e turpshme, sepse na dhunuan fizikisht në kuptimin jo se kemi probleme, sepse ne nuk jemi në luftë, ne kemi ardhur të luajmë futboll dhe futbolli është një shfaqje, një luftë sportive deri në momentin kur mbaron dhe pastaj ne jemi shokë, miq. Ky është futbolli dhe unë mendoj se futbolli duhet t’i bashkojë njerëzit e jo t’i ndajë”, ka pohuar Magani në mikrofonin e Supersportit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *