
Prej vitesh Reali e Atletiko nuk bëjnë pazar te njëri-tjetri, duke ndërtuar një pakt nderi, për të evituar konfliktet dhe sherret, pasi edhe tifozët nuk i pranojnë transferimet brenda qytetit.
Megjithatë, Reali e ka prishur sot paktin, sepse i ka rrëmbyer Atletikos mbrojtësin e majtë Teo Hernandez.
Futbollisti 19-vjeçar, i cili luan me ekipet e moshave të Francës, është rritur tek Atletiko, që verën e shkuar ia huazoi Alaveshit, pa debutuar ende në Primera.
Në Alavesh Teo ka mahnitur të gjithë, titullar çdo ndeshje, rendiment fantastik dhe dje erdhi edhe goli i parë si profesionist, një supergol kundër Atletik Bilbaos.
Barcelona dukej shumë pranë blerjes së tij, pasi flitej se mbrojtësi i talentuar preferonte kalimin në Katalonjë, por sot erdhi “bomba”: Teo ka kryer vizitat mjekësore dhe ka mbyllur gjithçka me Realin, që do të paguajë 24 milionë euro, sipas klauzolës për prishjen e kontratës.
Një goditje që me siguri ka tërbuar Atletikon, por duket se ka pasur si synim kryesor të evitojë përforcimin e Barcelonës me një supertalent.