Prezantohet projekti i stadiumit, investim gjigant në Kosovë

Lajmet e mira nuk po kanë fund për futbollin në Kosovë. Ditën e sotme është prezantuar projekti i stadiumit të ri kombëtar. Impianti ri do të ndërtohet në afërsi të Drenasit dhe do të ketë një kapacitet prej 30 mijë vendesh.

Ndërtimet pritet të fillojnë brenda këtij viti. Krahas stadiumit në investim do të përfshihet një hotel dhe parqe në hapësirën përreth. Vendndodhja e stadiumit është pak kilometra larg Prishtinës dhe pranë autostradës dhe aeroportit.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi falënderoi qeverinë e Kosovës për investimet e bëra për zhvillimin e futbollit ndër vite: “Ministria e sportit dhe qeveria prej fillimit të punës së tyre kanë punuar shumë për futbollin, duke filluar me renovimin e stadiumeve, pastaj me ndërtimin e 12 fushave me bari sintetik dhe tani me Stadiumin Kombëtar, i cili do të jetë kupola e infrastrukturës në vendin tonë. Ndihem shumë mirë që ky projekt po jetësohet, jo vetëm për futbollistët tanë, por edhe për tifozët pasi kërkesat janë shumë të mëdha. Ne aktualisht e kemi stadiumin ‘Fadil Vokrri’ me 12 mijë ulëse derisa kërkesa online për bileta për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës është 100 mijë. Pra kjo është dëshmi se njerëzit në Kosovë dhe bashkatdhetarët tanë e duan futbollin. Falënderimet për këtë projekt i takojnë kryeparalemtarit Veseli që na ka mbështetur fuqishëm në çdo periudhë. Në raste të këtilla mbështetja e institucioneve është e domosdoshme. Një falënderim të veçantë edhe kryetarit të komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, si dhe për tifozët Dardanët. Urime dhe e gëzofshim këtë stadium”, përfundoi Ademi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *