Prezantohet Lena, mbërrin edhe Xhonatan

0

Sulmuesi brazilian ka mbërritur dje në vendin tonë, ndërsa sot i bashkohet ekipit të Gugash Maganit në seancën stërvitore

Andi TANKU

Ashtu siç u raportua ekskluzivisht një ditë më parë nga “Sport Ekspres”, Teuta bën edhe “goditjen” e radhës në merkaton e janarit. Durrsakët përforcohen me sulmuesin Xhonatan Bernardo Mariano. 27-vjeçari ka rënë parimisht dakord me drejtuesit e klubit të Teutës dhe sot pritet të jetë në urdhrat e trajnerit Gugash Magani në seancën stërvitore.

Sulmuesi brazilian ka mbërritur në vendin tonë me ndërmjetësimin e menaxherit të mirënjohur Alban Kashari, i cili njihet për “furnizimin” e skuadrave shqiptare me lojtarë të kalibrit të lartë, ndërsa edhe në këtë merkato janari ka qenë vendimtar në disa transferime të kryera nga Skënderbeu, Tirana, por edhe shumë ekipe të tjera.

Xhonatan ka mbërritur dje në Shqipëri, ndërsa ka udhëtuar nga Brazili për në Turqi, ku ka qëndruar për 24 orë, e më pas u nis për në vendin tonë. Sulmuesi 27-vjeçar ka qenë pjesë e disa skuadrave të njohura në Europë, në kampionatet e Sllovakisë, Polonisë, Maltës, Çekisë dhe së fundmi në kampionatet e vendeve aziatike.

Ai pritet të jetë një forcë e shtuar për ekipin e Teutës në repartin e sulmit, ndërsa fiziku i tij dhe gjatësia e përshtatshme për rolin e sulmuesit janë elementë që pritet t’i japin të drejtë klubit durrsak për besimin e treguar ndaj brazilianit Xhonatan. Me ardhjen e tij në ekip, Teuta duket se do ta deklarojë të mbyllur merkaton e janarit.

Kjo për faktin se ashtu siç është pohuar edhe nga stafi teknik i skuadrës durrsake, nga kjo dritare e re transferimesh, Teuta priste së fundmi një mesfushor dhe një sulmues. Me ardhjen e Lenës dhe Xhonatan, këto dy kërkesa janë plotësuar.

Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia e një transferimi “blic” në ditët e fundit të merkatos, pasi Teuta e këtij sezoni vijon të surprizojë jo vetëm me paraqitjet mjaft pozitive në fushën e lojës, por edhe me të qenit mjaft aktive në transferimin e lojtarëve cilësorë.

3 AFRIME

Ka bërë Teuta në këtë merkato janari, duke sjellë në skuadër Nijaz Lenën, Xhonatan Bernardo Marianon dhe Florian Kadriun, këtë të fundit të huazuar nga Tirana.

lena

Durrsakët prezantojnë Nijaz Lenën

Teuta ka prezantuar ditën e djeshme afrimin më të ri të kësaj merkatoje janari. Bëhet fjalë për Nijaz Lenën. Mesfushori i ardhur nga Flamurtari është prezantuar dje në shoqërinë e zyrtarit të klubit, Eduard Salillari. Lena pozoi dhe me fanellën e re, ndërsa në shpinë, ai do të mbajë numrin 10-të.

Mesfushori, i cili prej 6 sezonesh ishte pjesë e Flamurtarit, tashmë do të jetë një “armë” shtesë për ekipin e Gugash Maganit. Lena dhe trajneri aktual i “djemve të detit” nuk do të jenë për herë të parë së bashku në një skuadër. Magani e ka pasur në urdhrat e tij Lenën në kohën kur drejtonte Flamurtarin para 5 sezonesh.

Në atë periudhë, Flamurtari ishte një nga pretendentet kryesore për të fituar titullin kampion. Eksperienca dhe aftësitë e mesfushorit shqiptar nga Maqedonia do të jenë në ndihmë të Teutës për pjesën e dytë të sezonit, kur kujtojmë se në dy fazat e para, të besuarit e trajnerit Magani zhvilluan paraqitje pozitive, duke u renditur në vendin e tretë të Superiores.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.