Prestigjozja spanjolle ia shuan shpresat Rei Manajt: Nuk ka vend as për Ansu Fati, do të shkojë në huazim

Kjo periudhë pushimi e futbollit në Europë ia vështirëson dhe ia bën thuajse të pamundur ëndrrën Rei Manajt për të debutuar te Barcelona. Madje duhet të theksohet se edhe në stërvitjen e fundit që bëri klubi katalanas përpara se të mbyllej në izolim, sulmuesi shqiptar u thirr nga Setien.

Por me rifillimin e kampionatit, në sulm do të jetë i gatshëm dhe i rikuperuar Luis Suarez. Në një kampionat të ndezur drejt fundit ku diferenca me Realin e Madridit është vetëm dy pikë dhe duke parë edhe “Champions Leaguen” në fazat ku ndodhet, do të jetë shumë e vështirë që Setien t’i besojë Manajt për të debutuar.

Më pas nëse do të shohim për sezonin tjetër dhe për të vendosur historinë që një lojtar shqiptar të debutojë me fanellën e katalanasve, shpresat vetëm sa veniten. Prestigjozja “Mundo Deportivo” shkon edhe më tej teksa thotë se disa lojtarë të akademisë mund të huazohen, mes tyre edhe ylli Ansu Fati.

Një titullar i padiskutueshëm në këto kohë dhe që ka shpërthyer me Barcelonën, duke realizuar gola e duke fituar zemrën e tifozëve. Por në sezonin e ri flitet për një sulm të ngjeshur dhe Barcelona rikthehet ajo e vërteta, ku për të marrë një vend titullari duhet të tregosh se vjen nga “jashtë planetit”.

Leo Mesi, Antonine Girezman, Luis Suarez, Ousmane Dembele, Martin Braithwate dhe një yll i ri si Trincao, talenti portugez që do të vijë në sezonin e ardhshëm, janë lista e gjatë që përforcojnë majën e sulmit.

E nëse dikush prej tyre zgjedh që të largohet, atëherë Nejmar dhe Martinez janë të gatshëm për t’u afruar. Pra nëse te kjo skuadër nuk do të gjejë më vend as Ansu Fati, do të jetë e vështirë që Rei Manaj të shpresojë diçka më shumë. Sipas “Mundo Deportivo” Ansu Fati mund të largohet në një huazim për një vit që të ketë vendin e titullarit dhe të dëshmojë të gjitha aftësitë e tij. /Sport Ekspres/