Presidenti Pëllumbi me projekte dhe mbështetje nga federata turke

0

 

Së bashku sekretarin e përgjithshëm Albens Vokopola, i pari i rrjetës shqiptare ka marrë pjesë në seminarin e zhvilluar në Stamboll me 247 trajnerë. Presidenti Oskan Mutlugil vlerëson praninë e Pëllumbit me pllakatë të veçantë

Gjergj Vyshka

Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, dhe sekretari i përgjithshëm Albens Vokopola për dy ditë me radhë kanë qenë në Stamboll, atje ku kanë pasur takime të frytshme në Federatën turke, ndërsa janë pritur nga presidenti Oskan Mutlugil. Edhe duke qenë njëkohësisht edhe sekretari i përgjithshëm i Federatës Ballkanike të Volejbollit, të paktën edhe sipas informacionit që ka dhënë për Sport Ekspres vetë i pari i volejbollit shqiptar, gjithçka është diskutuar rreth projekteve dhe mbështetjes për volejbollin tonë. Në radhë të parë dhe ajo që është kryesorja është projekti për ngritjen e volejbollit nga baza dhe krijimi i skuadrave të moshës 6-12 vjeç. “Sepse nëse nuk do të kemi bazën nuk do të kemi vazhdimësinë dhe prurjen e elementit për ekipet e para. Ne e kemi projektin për volejbollin në shkolla mbi bazën e një marrëveshjeje me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, por dhe Federatës Botërore të Volejbollit dhe duhet ta nisim menjëherë atë”, nis të rrëfejë Pëllumbi, ndërsa dje është kthyer nga vizita dyditore në Turqi. I pari i rrjetës shqiptare ka shpjeguar se turqit janë treguar të gatshëm që të ofrojnë kurse kualifikimi për trajnerët tanë edhe duke i pritur. Madje edhe italiani i kombëtares së Turqisë për të rritur, Emanuele Zanini, është treguar i gatshëm që të vijë në Shqipëri për të ofruar ndihmën e tij në rritjen e nivelit të trajnerëve tanë. Pa thënë që janë treguar të gatshëm edhe për ndeshje miqësore në nivel kombëtaresh “Mbi të gjitha për ne është e rëndësishme që Turqia do të na japë ndihmën për rritjen e nivelit të trajnerëve të grupmoshave. Ndaj dhe ne së shpejti do të nxjerrim njoftimin për ata që janë të interesuar të marrin pjesë në këto kurse kualifikimi. Por edhe mbi bazën e bisedave që patëm me homologun Mutlugil ajo që do të duhet të jetë kryesore për ne është ngritja e ekipeve të moshës 6-12 vjeç, të cilat janë një bazë e mirë dhe kryesore për vazhdimin e traditës. Sepse kështu e ka nisur dhe Turqia e eksperienca e tyre na shërben”, ka theksuar Pëllumbi.

Takimi Pëllumbi-Mutlugil pasqyrohet në CEV

Takimi i presidentit të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, me presidentin e Federatës turke të rrjetës në Stamboll është pasqyruar edhe në sajtin e Federatës Evropiane. Sepse turqit, të paktën edhe sipas informacionit që është vendosur në CEV, e kanë cilësuar nderim të madh që në një kurs trajnerësh të marrë pjesë presidenti dhe sekretari i përgjithshëm i një federate të caktuar. Siç ishte në këtë rast presidenti i volejbollit shqiptar Pëllumbi dhe sekretari i përgjithshëm Vokopola. Pikërisht për këtë arsye, presidenti i Federatës së Volejbollit të Turqisë, Mutlugil, e ka nderuar me një pllakatë të veçantë për vizitën e tij në Stamboll jo vetëm në ambientet e Federatës, por edhe në këtë kurs trajnerësh në të cilën kanë marrë pjesë 247 teknikë. Një seminar që është zhvilluar në Pallatin e Sportit “Burhan Felek” në Stamboll e që ka pasur për lektorë trajnerin e Fenerbahçes, Velko Basiç, trajnerin e kombëtares së Turqisë në volejboll për meshkuj Emanuele Zanini, si dhe trajnerin e të rinjve Mehmet Bedestenlioglu. Jo vetëm kaq, por ka referuar edhe trajneri i Halkbank Ankara, Lorenzo Bernardi. Përtej kësaj vizita e Pëllumbit dhe Vokopolës në Stamboll quhet e frytshme, sepse kanë ardhur me projekte dhe me një mbështetje të plotë nga Turqia, që ka premtuar ndihmën e saj për rritjen e nivelit të volejbollit shqiptar.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.