Presidenti i Lacios ngre zërin për të nisur stërvitja: Nuk e kuptoj pse jo, po i bëni traumë lojtarëve

Presidenti i Lacios, Lotito, ka ngjallur shumë herë polemika me deklaratat e tij. Këtë herë ngre zërin për vazhdimin e stërvitjes nga ana e lojtarëve, që më pas të jenë gati edhe për vazhdimin e kampionatit. Ndërkohë që ekipe si Juventus dhe Inter janë shumë mbrapa në këtë drejtim, madje duke i dhënë leje lojtarëve që të ikin nga Italia.

“Para së gjithash dua të nënvizoj faktin se askush nuk dëshiron shëndetin e njerëzve, qytetarëve dhe të punësuarve. Ajo që unë kam thënë është që t’u garantohet siguria të punësuarve për të bërë veprimtarinë e tyre. Përshembull unë nuk e kuptoj pse duhet të bllokojmë një sportist. Nuk është çështje e ndeshjeve, por e punës.

Po flasim për njerëz që nëse i bllokon 2-3 muaj krijon një traumë se mund tëhumbasin gjendjen e tyre. Ata kanë kontroll mjekësor 24-orë dhe nuk e kuptoj pse nuk mund të stërviten. Nuk ka asnjë protokoll shkencor që thotë ndryshe. Unë i respektoj plotësisht rregullat e shtetit, por nuk ka asnjë mendim-shkencor mjekësor që rrezikon shëndetin e lojtarëve gjatë veprimtarisë së tyre”, tha Lotito për “Lazio Style Channel”. /Sport Ekspres/