Presidenti i Bylisit ngre shqetësimin: Nëse do vazhdohet pa tifozë, të mbyllet Superiorja

Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, ka reaguar për “Fan Zone” menjëherë pas përgjigjes së dhënë nga Edi Rama, për të mos e mbështetur futbollin në këto kohë. Duke bërë edhe një thirrje për qeverinë, që të kthejë sytë nga sporti dhe të bëj ndihmesën e saj në këtë lloj situatë anormale.

“Ne i paguajmë 100% shpenzimet e klubit dhe pse 25% të aksioneve i ka bashkia, por me ardhjen e kryetarit të ri të Bashkisë, nuk kanë hedhur asnjë lekë. Situata është e vështirë pasi janë mbyllur edhe bizneset. Nuk e di sesi ja bëjnë këto klubet e tjera, por ndoshta ndikon edhe kjo se janë pjesë e bashkisë dhe fondet vazhdojnë andej. E di që është moment i vështirë dhe nuk e di se çfarë ka thënë kryeministri. Por në këtë moment duhet që ta ndihmojmë sportin pasi është në vështirësi të madhe.

Shumica e lojtarëve janë akoma këtu, se janë shumë të huaj. Mundohemi t’i mbajmë dhe t’i paguajmë me këto mundësi që kemi, por do të vijë koha që nuk do kemi mundësi më. Shteti duhet të hedh kokën edhe nga sporti se shqiptar jemi. Të huajt nuk kanë se ku të shkojnë, se janë mbyllur udhëtimet. Të gjithë pjestarët e klubit janë këtu te hoteli im me familjet e tyre. Federata do të ndihmojë në rast se ka mundësi, por nuk i dimë edhe ne problemet e tyre. Nuk kemi lekë as nga biletat, nëse bëhet fjalë për ndeshje që do të luhen pa tifozë në vazhdim, atëherë të mos luhet fare”, tha Kapllanaj. /Sport Ekspres/