Presidenti i Bylisit ka një kërkesë për shtetin shqiptar: Shikoni Kosovën! Na jepni një fond edhe ju

Futbolli ka ndalur në Shqipëri ashtu si edhe thuajse në të gjitha vendet e Europës për shkakun e Koronavirusit. Sigurisht që përjashtim përbën Bjellorusia, e cila nuk ka ndërmend të bllokojë shtetin për shkakun e COVID-19.

E ndërkohë bizneset janë duke përjetuar momentin më të vështirë. Këtu përfshihen edhe klubet shqiptare, të cilat në këtë periudhë janë duke kërkuar ndihmën e shtetit shqiptar që të kenë mundësinë nëpërmjet një fondi të paguajnë lojtarët e tyre. Së fundmi është Besnik Kapllanaj që del në deklaratë për mediat, duke i treguar shtetit tonë edhe rastin e Kosovën, ku e dhanë menjëherë një fond prej 5 milionë eurosh.

“Edhe pse vendi është në një situatë të paprecedentë, mendoj se ka ardhur momenti që Shteti Shqiptar dhe sidomos Ministria e Sportve të ndihmojnë sportin duke ndjekur shembullin e Kosovës. Jo më larg se sot kemi mësuar se, Ministria e Sportit në Kosovë dha një fond prej 5 milion eurosh për sportin, që është me të vërtetë tejet pozitiv. Imagjinoni, nëse jepet një fond i atillë edhe në Shqipëri të paktën për këtë periudhë krize, besoj se do të jetë shumë pozitive dhe një shtysë shumë e madhe për klubet tona, në mënyrë që të mos cënohemi edhe më shumë në xhepat tanë. Kështu edhe sponsorët, duke qenë se aktiviteti nuk vijon shohin si rrugë të vetme largimin.

Ndërkohë që edhe lojtarët me të drejtë kërkojnë pagat mujore sipas kontratës, sepse ne shumicën i kemi familjarë. Në një situatë të atillë, që unë shpresoj që të kalojë sa më shpejt dhe me sa më pak pasoja, klubet kërkojnë që të përfshihen edhe ato në buxhetin e ndihmës që po jep Qeveria shqiptare, në mënyrë që aktiviteti i tyre të mos cënohet dhe futbolli që është i vetmi mjet argëtimi dhe sporti më i vjetër dhe më popullor që ka më shumë interes në vendin tonë të vijojë të mbahet në këmbë, e pse jo për ta çuar edhe më lartë”, – tha presidenti i ballshiotëve, Besnik Kapllanaj. /Sport Ekspres/