Presidenti i Besëlidhjes Noka premton supershpërblim, Smajli e merr me humor

0

Elton Nika

Në ekstazë është parë presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka, pas fitores së djeshme në Vlorë. Madje, ai ka premtuar shpërblim për skuadrën e tij, duke ua lënë në dorë vetë lojtarëve ta thonë shumën: “Së pari dua të them se në Vlorë dhe në Lezhë luhet futboll. E kam pritur dhe kam besuar te fitorja. Kemi ardhur që një ditë më parë në Vlorë vetëm me synimin për të fituar. Kaluam Partizanin dhe na quajtën të gjithë surprizë, por sot (dje) treguam se nuk jemi të tillë, por një ekip me kualitet. Jam ndjerë krenar me këtë skuadër. Kemi shkuar 0-2 dhe më pas mund të shënonim edhe golin e tretë, por kemi humbur një penallti dhe kemi shënuar në portën tonë. Ky është futbolli, prandaj është i bukur. Smajli? Jo, asnjë përplasje për çfarë ndodhi. I rastisi të humbasë penallti dhe të shënojë autogol. Jam i kënaqur dhe po ju them se, edhe nëse Skënderbeu na del përpara në Kupë, do ta mundim. Nuk shohim kundërshtar përpara. Shpërblim? Po, patjetër, madje le të kërkojnë vetë sa e dëshirojnë shpërblimin. Le ta vendosin ata shumë që duan”, – tha për “Sport Ekspres” presidenti i lezhjanëve, Noka.
SMAJLI – Ka luajtur shumë mirë, por në këtë fitore të çmuar Dritan Smajlit i rastisi të jetë protagonist negativ, sepse shkaktoi autogol dhe humbi një 11-metërsh: “Kam humbur një penallti dhe kam shënuar në portën time. Ndodh edhe te lojtarët më të mëdhenj në botë kështu. Lojtarët që e marrin përsipër riskun, natyrisht që edhe gabojnë, por merita ka edhe portieri. Më pas kam shënuar në portën time dhe isha unë ndoshta protagonist sot (dje). Më vjen mirë, që kemi fituar, edhe pse e kemi menduar një rezultat pozitiv, por jo një rezultat të tillë. Kualifikimi mbetet ende i hapur, asgjë nuk është mbyllur. Flamurtari është një skuadër me shumë cilësi dhe lojtarë të shkëlqyer, me një buxhet të konsiderueshëm. Kam kaluar pak kohë këtu, por e respektoj këtë qytet dhe në një farë mënyre do të më vinte keq, që Flamurtari të dilte nga objektivat, por ky është futbolli”, – u shpreh Smajli. I ngacmuar për faktin që presidenti Noka e la në dorë të lojtarëve shpërblimin, Smajli u përgjigj me batutë: “Mendoj se tashmë është disi në ekstazë, pas fitores, por, kur të qetësohet dhe jetë ftohur, do të nisë të mendojë diçka më ndryshe (qesh)”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image