“Presidencën e Tiranës e marrë unë”, Grent Halili del hapur: Babai im është njëri i butë

Tirana ka përjetuar një sezon fantastik deri në momentin që kampionati u ndërpre si pasojë e përhapjes së pandemisë Covid-19. Lojtarët bardheblu e presin me padurim të marrin në duart e tyre trofeun e kampionit, aq më tepër në këtë vit të shënuar që përkon me 100 vjetorin e klubit. Një nga këta është edhe Grent Halili, djali i presidentit të Tiranës. Sulmuesi i kryeqytetasve ka dhënë një intervistë për “Fan Zone” në “SuperSport”, ku ka folur për klubin dhe familjen e tij. Halili tregon se babai i tij është një president tolerant dhe kjo e ka penguar që këtë sukses që po përjetojnë ta arrinin më herët, ndërsa tregon se familja e tij është e infektuar me dashurinë për Tiranën.

Më tej është shprehur se e ka menduar edhe largimin nga ekipi, duke qenë se e ka sakrifikuar veten e tij për interesat e bardhebluve, por ka qendruar duke shpresuar që të zërë vendin e tij në fushë. Kjo pasi sipas tij secili merr atë që i takon në shtëpinë e Tiranës. Fjalën e tij e ka përmbyllur me dëshirën e madhe për të ngritur kupën e kampionit, të cilën e duan në fushë e jo në tavolinë.

“Nuk duhet të demoralizohemi por të shpresojmë që kjo situatë të mbrajoë sa më shpejt. Duke parë babain si president që është tolerant dhe i butë mund të konsiderohet se jemi një familje e butë. Besoj se kjo e ka penguar disi në arritjen e sukseseve të mëparshme, si ato që po i kalojmë tani. Po qendroj në shtëpi me familjen dhe brenda orareve të vendosura edhe jam stërvitur duke shfrytëzuar strukturat e klubit. Stërvitem gjithashtu edhe në shtëpi, pasi nëse e lë stërvitjen duhet një muaj të rimarrësh veten.

Presidencën në të ardhmen do e marr unë dhe është një gjë që secili sportist do e dëshironte. Familja jonë është infektuar me virusin e dashurisë për Tiranën. Nuk dua ta shoh këtë klub si fëmijën e tretë si edhe babai im e sheh, por ta shoh si një biznes. Kemi fatin që babi na ka ndërtuar dicka që na e bën punën më të thjeshtë dhe na mbetet ne të përmirësojmë ato biznese jashtë sportit për të financuar klubin.

Mund të them se nga momenti kur kam filluar karrierën kam sakrifikuar shumë veten time për hir të interesave të klubit. E kam menduar të transferohem edhe në një ekip tjetër, por duke qenë se kam qenë i ri kam ndenjur. Prezenca ime në atë klub tregon se unë mund të jem si gjithë të tjerët dhe jam si gjithë të tjerët. Të gjithë marrim atë që na takon. Nuk ndikon fakti që nuk kam pasur minutazh të plotë, rëndësi ka që ekipi të eci përpara. Mezi po e presim ta ngrejmë atë Kupë, sepse duam ta ngrejmë në fushë. Në lokal do dalim kur të fitojmë titullin kampion”, ka thënë Grent Halili./Sport Ekspres/