“Pres shumë nga Valdet Rama, kemi edhe Van Bastenin e Shqipërisë”

Safet Gjici, presidenti i Kukësit, ka folur gjerë e gjatë para ndeshjes me Debrecenin. Numri një i klubit verilindor flet për sfidat në arenën ndërkombëtare, stadiumin, merkaton dhe “garën” me klubet e tjera shqiptare në Europë. Në fokus e tij është edhe Valdet Rama, nga i cili pret shumë, ndërkohë që ka fjalë të mira edhe për Markovanbasten Çemën.

ECURIA NË EUROPË – “U bënë shumë vite që luajmë në Kupat e Europës. Në përgjithësi kemi dalë mirë, duke kaluar turet. Duke pasur besim te stafi dhe ekipi, pavarësisht se është një ekip shumë i mirë. Debreceni është një ekip me traditë në Hungari, eksperienca që kanë një pjesë e mirë e lojtarëve do mundemi t’ia dalim me sukses. Patjetër që iu them se turi i parë është detyrim, natyrisht edhe fati në futboll është një pjesë që mund të na ndihmojë për sa i përket kalimit të këtij, turi pasi është një tur shumë i vështirë”.

Ndeshja e parë në Hungari? Në fakt ky është një favorizim mund të thosha. Po të nxjerrim një gol atje, pastaj e kemi më të lehtë në Shqipëri. Gjithsesi duhet mobilizim nga ana e stafit dhe ekipit. Besoj se kanë bërë një fazë të mirë. Them se janë mirë, duket mirë ekipi dhe them se pse mos ta kalojmë. Në futboll luajnë 11 me 11 dhe natyrisht duam që të kemi edhe pak fat”.

MERKATO – “Sivjet nuk kemi ndërhyrë shumë. Kemi bërë gabime në vitet e fundit, pasi ndërhyjmë shumë në shumë reparte dhe prish shumë gjëra. Pavarësisht se e kaluam një tur, nuk na rezultoi i suksesshëm, sidomos verën e vjetshme. Kështu që sivjet kemi ndërhyrë pak. Kemi nevojë për të ndërhyrë në disa reparte, sidomos në repartin e sulmit apo të mesfushës. Kemi kohë deri më 24 gusht, kur edhe fillon kampionati.

Natyrisht edhe drejtori sportiv, por edhe stafi, nuk janë nxituar për të marrë lojtarë që nuk janë niveli që bëjnë diferencën në Shqipëri. Janë 20 lojtarë që kanë në dispozicion dhe mendoj se janë mjaftueshëm për këtë tur të parë. Na nevojitet edhe një sulmues që të bëjë diferencën, apo një mesfushor qoftë qendre apo krahu. Mendoj se me 2-3 blerje do e kompletojmë ekipin, që më pas do të luftojnë denjësisht në kampionat”.

EKIPI MË I MIRË SHQIPTAR NË EUROPË – “Mbetet për t’u parë në fakt, nëse do të kemi sukses dhe do ta kalojmë turin e parë. Ne dhe Partizani i kemi shumë të vështira ekipet që na kanë rënë në short për hir të së vërtetës. Karabakun e njohim, e dimë se çfarë skuadre ka, por edhe Debreceni është një ekip me traditë.

Gjithsesi kjo nuk do të thotë që ne të shkojmë dhe të mos marrim atë rezultat që presim. Kam bindjen dhe besoj shumë te stafi teknik dhe te lojtarët që do t’ia dalin me sukses, edhe pse ekipi kundërshtar është shumë i fortë. Pas kësaj mbetet të shihet se kush është ekipi më i mirë mbas kalimit të turit, sidomos ne dhe Partizani, që i kemi kundërshtarët edhe më të fortë”.

GJUNJËT – “Këtu problemi është se nuk garojmë në kampionatin shqiptar. Aty e ka në dorë stafi teknik, skuadra, nuk kemi se çfarë menaxhojmë ne, pjesa jashtë. Natyrisht që janë skuadra si Debrecen dhe Karabak që kanë kaluar edhe në fazat e grupeve të Europës, kështu që duhen respektuar dhe vlerësuar maksimalisht”.

EKIPI I KAMPIONATIT – “Do të ketë edhe ndërhyrje të tjera. Thashë që ne nuk kemi bërë shumë ndërhyrje, sepse nuk duam që ta prishim ekipin. Kemi larguar Rexhinaldon, ka qenë një ndër sulmuesit kryesorë të Kukësit. Më shumë u vetëlargua se sa e larguam, pasi kishte problemet e veta. Duam që të kemi një sulmues, pasi me një sulmues nuk mund ta nisësh kampionatin, sidomos kampionatin e Shqipërisë. Kemi një sulmues që është Van Basten i Shqipërisë, ishalla na del si Van Basteni atje.

Emrin e ka të madh, por nuk e di se çfarë do të na dalë. Është sulmues i ri, i perspektivës, por duam një sulmues me përvojë që të përballojë kampionatin shqiptar. Kjo pasi do të jetë një kampionat akoma dhe më i fortë, sepse ekipet janë përforcuar. Ne na duhen 2-3 lojtarë që të bëjnë diferencën, jo lojtarë për të mbushur numrin edhe kaq. Na duhen lojtarë duke nisur nga reparti i sulmit, mesfushës dhe deri në mbrojtje”.

VALDET RAMA – “Nga Valdeti pres që të tregojë emrin e vet, si lojtar i madh, lojtar me përvojë në këto ture, që në fakt duhen lojtarë të tillë, sepse kanë eksperiencën e duhur. Me çfarë më thanë sot, stafi dhe ekipi e kanë studiuar ekipin kundërshtar. E dinë se çfarë pikash të forta kanë dhe çfarë pikash të dobëta kanë. Besoj se tani që stafi i ka bërë analizën, edhe këta janë mobilizuar që të kalojnë turin dhe pse jo të dalin me rezultat pozitiv edhe në Hungari. Pastaj mbetet për t’u parë. Kam besim se do ia dalim”.

STADIUMI – “Në fakt stadiumi duhet të kishte nisur para një muaji. Kontrata është firmosur para një muaji me firmën zbatuese. Kanë vajtur mjetet, ka vajtur për të filluar punë, por Bashkia që iku nuk lejoi për të filluar punimet. Kjo ishte një gjë e rëndë në fakt, sepse ai stadium nuk bëhet as për mua personalisht, as për atë që ishte në krye të Bashkisë, por bëhet për qytetarët kuksianë, për Kukësin. Stadium me standarde europiane.

Është e pafalshme që të luajmë për 8 vite larg fushës sonë, si dhe në Kupat e Europës. Të loz sa në një stadium në një stadium tjetër. Tifozët shpresojnë që të mbarojë. Shpresoj dhe besoj se kjo kompani do të punojë me ritme të shpejta. Do mundohemi që të mos ketë pengesa, burokracira dhe të ecim me ritme të shpejta. Nëse do ecin punët ashtu siç e kemi planifikuar, për 6-7 muaj, ose 1 vit, e përfundojmë. Ekipi i Kukësit do të luajë edhe këtë sezon jashtë. Do mundohemi që të luajmë në një vend fiks. Elbasani dhe Kamza do të jenë shtëpia e re dhe nuk do ta lëvizim deri në fund”, ka thënë Gjici në mbyllje të intervistës për “Ora News“…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *