Prenga: Skënderbeu shembulli, ja ku gabojnë presidentët në Shqipëri!

Besnik Prenga ndodhet në Shqipëri për të gjetur elementë të tjerë për Lokomotivën e Zagrebit. Mirditori vijon punën e tij si skaut në Kroaci, ndërkohë që dëshiron të drejtojë sërish. Eksperienca e tij e fundit si trajner ishte te Laçi në Superiore dhe së fundmi ka dhënë një interviste për ABC News.

Prenga fillimisht flet për punën e tij në klubin kroat: “Punoj te Lokomotiva si skauti kryesor, mbuloj sektorin fëmijëve dhe ekipin parë. Ka dy vite që i jemi futur një projekti për të afruar çuna të rinj tek ekipi i parë. Te Lokomotitiva kam sjellë 7 lojtarë nga Shqipëria, të gjithë lojtarë cilësorë. Mendojmë se kemi bërë një punë shumë të mirë, klubi është i kënaqur. Elementi është, lojtarët shqiptarë janë me shumë gjak dhe të zhdërvjellët, ndoshta nuk jemi shumë punëtorë si ata”.

I pyetur mbi diferencat mbi punën me të rinjtë, Prenga shton: “Diferenca është e madhe, në Kroaci ka vazhdimësi. Në Shqipëri kohët e fundit kanë nisur të investohet në fusha, bëhet një rritje në infrastrukturë. Kam parë të rinj që me shumë pasion ndjekin ndjekin stërvitjet e klubeve të para dhe investojnë tek vetja. Besoj në Shqipëri për 3-4 vjet do japë frytet e veta”.

Besnik Prenga, gjatë intervistës për ABC News

Këtë sezon provoi Superioren dhe flet edhe për futbollin tonë: “Ekipet shqiptare janë më pak objektivë, janë 5-6 ekipe ose më shumë që pretendojnë, ose mendojnë që e kanë ekipin për të dalë kampionë apo për të kapur Europën. Presidentët mbajnë gjithmonë afër vetes njerëz që të thonë atë që ti ke qejf të dëgjosh dhe nuk tregojnë të vërtetën. Asnjë nuk ka plane afatgjatë, përveç Skënderbeut që u tregoi të gjithëve se si duhet të punojnë dhe funksionojnë. Për mënyrën se si u drejtua Partizani kohët e fundit, kam shpresë që është në hapat e duhur”.

Në fund dy fjalë edhe për të ardhmen: “E shoh veten trajner. Kjo punë, si skaut, më dha mundësinë që të kisha mundësi për vete, pasi kisha 12 vite që punoja rregullisht pa asnjë ditë pushim. Jo se ndjehesha i lodhur, por edhe për të investuar për veten, për të parë stërvitje edhe të trajnerëve të tjerë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *