Prenga nuk dorëzohet: Laçi nuk ka vdekur!

Humbja 3-0 në Norvegji erdhi si një goditje. Pavarësisht kualitetit të Moldes, te Laçi shpresonin një rezultat më të hapur, për të provuar deri në fund kualifikimin. Gjithsesi, kurbinasit nuk e shohin veten pa shanse dhe në konferencën për shtyp përpara ndeshjes, trajneri Besnik Prenga nuk e pranon fjalën dorëzim.

“Futbolli është futboll, janë kthyer ndeshje me rezultate edhe më të thella. As unë dhe as ekipi nuk jemi dorëzuar”, tha Prenga, që e argumentoi besimin me kushtet atmosferike dhe temperaturat mjaft të larta: “Nuk i dihet! Ndoshta temperaturat, kushtet atmosferike mund të na ndihmojë. Ne nuk jemi të vdekur, nuk jemi dorëzuar! Mos kërkoni të them që nuk kemi shanse”.

Për një skuadër si Laçi, që pikën e fort ka fushën e saj, trajneri i bardhezinjve e ka të qartë atë që kërkon nga ekipi, por bën thirrje edhe për kujdes në situate të caktuara loje. “Në goditjet standarde, aspekti fizik ishte në favor të kundërshtarëve. Nuk jemi rritur për një javë, por jemi bërë më të mençur. Do të dimë ta shfrytëzojmë me zgjuarsi agresivitetin që të jep faktori fushë. Lojtarët e mi duhet të përqendrohen në maksimum”.

Qëndrimi i Besnik Prengës te Laçi edhe pas kupave të Europës ende nuk është i sigurt. Në pritje të vendimit të presidentit Laska, trajneri vlerëson raportet që ka me drejtuesin e klubit: “Nuk e di nëse presidenti dhe tifozët janë të kënaqur. Personalisht do të jem këtu për të dhënë më të mirën. Nuk e di nëse ka patur ndonjë trajner tjetër marrëdhënie të tilla, kaq të mira. Do t’ua uroja të gjithë kolegëve”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *