Prenga, misioni Laçi dhe miqësia me Laskën: Në punë të mbajnë rezultatet!

Besnik Prenga e nisi mbarë aventurën në Superiore, teksa Laçi i tij mposhti Tiranën me rezultatin 2-1. Shumë vuajtje dhe tekniku mirditor e pranoi dominimin e bardhebluve pas minutës së 20-të. Tifoz me Juventusin, por e lidh edhe një lojtar me Interin.

“Brozoviç e kam patur lojtar për tre vite me të rinjtë, ndaj jam pak i lidhur me Interin. Por jam tifoz i Juventusit”, u shpreh Prenga në lidhjen direkte me emisionin “Zona Gol” në Supersport. Zëri i është ngjirur dhe me shaka, pas ngacmimeve nga studio, Prenga shtoi: “Ngjirja e zërit ishte çmimi i fitores me Tiranën”.

RRITJA E LAÇIT – “Unë Laçin e ndjek, jo vetëm 10 vitet e fundit, por që fëmijë. Edhe në Kategorinë e Dytë ka qenë një ekip i vështirë, në Laç nuk fitoje. Së fundmi është faktor i rëndësishëm në futbollin tonë. Dikur ishte ekip i nxehtë brenda, jashtë shkonte për turizëm. Tani merr pikë shpesh jashtë. Presidenti është shtylla kryesore, që ia vlen t’i qëndrosh pranë. Është interesante se si ka arritur të mbajë klubin dhe ekipin. Jeton 24 orë me futbollin, do të dijë çdo gjë. Është e dyta herë që bashkëpunoj me të dhe ai e di pozicionin e tij. Është i pari aty ku i takon dhe është një mbështetje e madhe për trajnerët”.

PASHKU MIK DHE PRESIDENT – “Doja të thoja se ai është verior dhe atë ditë në tavolinë isha si mik. Ai di t’i dëgjojë miqtë, di dhe të sillet. Tani kanë ndryshuar punët. Marrëdhëniet shoqërore do të mbeten njëlloj. Në Laç më mbajnë puna dhe rezultatet. Kam ardhur nga Zagrebi për të punuar. Do mundohem të punoj edhe më shumë, që puna dhe shoqëria të ecin edhe më mirë. Ai nuk fal, është kërkues. Edhe me mua do të jetë ashtu. Vetëm rezultatet do të më mbajnë te Laçi”.

NDESHJA ME TIRANËN – “Nuk mendoj se ndeshja u fitua nga dhomat e zhveshjes. Është kompliment të thuhet se e kam motivuar ekipin. Ishte ndeshje e vështirë për të dyja ekipet. Tirana na respektoi më shumë se sa duhet në fillim dhe shënuam dy herë. Mund të bënim të tretin. Rezultati të detyron të kthehesh pas. Edhe lojtarë më me eksperiencë tërhiqen. U kërkova golin e tretë, pasi 2-0 është i rrezikshëm. Me një gol kundërshtari merr zemër. Ashtu ndodhi.

“E thashë dhe e them që Tirana luajti mirë, ata kanë ekip cilësor. Dëgjoj që thonë se ka lojtarë aty që nuk e meritojnë fanellën, por ka cilësi. Më vjen keq që skuadra u tërhoq në mënyrë të vetëdijshme. Tirana na rrezikoi me topa të gjatë, gjë që ndodh rrallë. Kur u fut Ngo nuk ishim agresivë. Po të barazonin do të gjenim forca të brendshme për ta kthyer. E arrinim apo jo, nuk e dimë. Faleminderit për komplimentat që ekipi u fut i karikuar. Tirana vinte nga një fitore, u kishte dhënë krahë dhe janë në rritje. Mos mendoni se ishte Laçi më i dobët. Ndeshjet e ardhshme do e tregojnë se Tirana do rritet. Ata nuk luftojnë për mbijetesë. Kanë një trajner që nuk do të humbë dhe jam i sigurt që do të vijnë ditë të mira për Tiranën”.

FATI – “Këtë ta shohim, uroj të ndodhë. Fati është i rëndësishëm. Kundërshtari më i vështirë është ai i radhës. Teuta është në radhë, pastaj Kukësi. Objektivi? Të japim maksimumin dhe të marrim një rezultat të mirë me Teutën”.

“Nuk i druhem askujt. Nuk është sekret që ne kemi nevojë për lojtarë. Lexoj që edhe Partizani ka nevojë. Ne mendojmë për merkaton, por nuk flas dot sot se ku kemi nevojë. Deri të shtunën nuk flas për merkato, deri të shtunën këta janë lojtarët më të mirë”.

GJYKIMI – “Nuk doja të jepja mendimin tim për gjykimin. Kudo është problem, madje edhe me VAR ka diskutime. Mendoj se arbitri, që të gjithë po e shkelin, edhe bota nuk ka ndonjë nivel. Ai nuk i mbajti anën askujt, gabimet ndodhin. Mund të shkonte 3-0, por kryesore është që nuk pashë gjykim të njëanshëm me qëllim”.

LARGIMI NË VERË – “Kur erdha herën e parë, aq ishte marrëveshja: vetëm për Europën. Isha në kontratë deri në 31 dhjetor të vitit 2018. Nuk punoja dot në dy vende”.

SKUADRA MË E MIRË – “Laçi ka bërë më mirë deri tani. Edhe Teuta ka marrë 100% nga ekipi. Janë disa ekipe që pretendojnë për Europë. Kush bën merkaton më cilësorë në janar, do të ketë më shumë përparësi. Kam nevojë për shumë përforcime, por ndoshta edhe për asnjë. Nuk kam folur me presidentin. Nëse dalim mirë në Durrës, ndoshta nuk kemi nevojë për ndërhyrje. Besoj te çunat e mi dhe shpresoj te një rezultat pozitiv me Teutën. Për merkaton flasim pas janarit”.

UZUNI I RI – “Nuk e di, ekipi në përbërje ka lojtarë cilësorë. Nëse nuk do kishte cilësi, nuk do kishim marrë pikë. Është herët të flas. Do dëshiroja që sa më shumë lojtarë të shitën në Europë, jo vetëm në Kroaci”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *