Prenga: Luftëtari na dha leksion, nuk meritonim asgjë

Besnik Prenga u tregua i sinqertë pas humbjes që Laçi pësoi me Luftëtarin. Ai pranoi paraqitjen e dobët të skuadrës së tij. “Unë mendoj se nuk funksionoi asgjë. Çdo gjë që kishim përgatitur ra poshtë. Pamë një kundërshtar që ishte me shumë energji dhe kishte ardhur për të marrë maksimumin. Kundërshtari kishte luftë për ekzistencë dhe mori pikët e plota. Unë mbaj përgjegjësi të plotë për këtë rezultat dhe në rast se do të merrnim pikë do të ishin pikë të pamerituara për ne”, tha fillimisht Prenga në lidhjen direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.

TË RINJTË – “Nuk mendoj se ne ishim në gjumë. E përgatitëm ndeshjen ashtu siç menduam se do t’ia dilnim. Por e kam thënë dhe më përpara që kemi shumë çuna të rinj në skuadër dhe jo çdo gjë shkon ashtu siç mendojmë. Lojtarët u përpoqëm aq sa kishin mundësi, por kur je lojtar i ri, loja ka luhatje”.

REZULTATI – “Të shpresojmë që ky rezultat të jetë vetëm si pasojë e një ditë të brishtë. Megjithatë, ne jemi skuadër që shënojmë pak. Berisha, 19-vjeç, nuk ishte në gjendje të luante, pasi u dëmtua ditën e fundit. Ne kemi pritur me kohë sulmues dhe me ardhjen e tyre shpresoj të jemi më mirë. Duhet të ishim të qetë, por goli që në fillim na dëmtoi shumë”.

MUNGESA E RASTEVE – “Në sport, ka dhe ditë të tilla dhe ndeshjet fitohen, humben dhe mbyllen në barazim. Ne ishim të vendosur mirë, por nuk krijuam asnjë rast për të shënuar. Ndoshta kushtet, era, fusha dhe kundërshtari që dha maksimumin ndikuan në rezultat. Këto rezultate i kanë kaluar të gjithë dhe do t’i kalojmë edhe ne”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *