Premier League nuk e njeh fjalën pezullim dhe gati plani B, shpëtimin e shohin nga Australia

Në Angli anullimi i sezonit është ideja e fudnit që u shkon në mend. Shifrat nga Codiv-19 janë të larta në Mbretërinë e Bashkuar, megjithatë Premier League ka gati projektin për rinisje dhe pret dritën e gjelbër nga qeveria për të filluar sërish nga puna. Por gjithnjë duhet pasur një plan B dhe këtë e dinë shumë mirë në ishull. E këtu nuk bëhet fjalë për të pezulluar gjithçka, por për ta përfunduar sezonin në një tjetër vend.

Shpëtimi i Premier League duket të jetë Australia e largët. Një ide që po merr mbështetje dalëngadalë, ndërsa ka marrë edhe pëlqimin e kryetarit të qytetit të Perthit. “The Sun” bën me dije se kjo mundësi shihet si perfekte për të shpëtuar sezonin, teksa lojtarët do të kishin hotelet e tyre dhe do të ishin të veçuar nga pjesa tjetër. Agjenti anglez Gary Williams ka renditur edhe 8 pika përse zhvendosja e kampionatit në Perth është zgjidhja e duhur. Ndër të tjera kjo do të sillte uljen e numrit të testimeve me 2 në total, nuk do të ishte nevoja të shqetësoheshin për grumbullim tifozësh pranë stadiumeve, si dhe ndeshjet do të luhen në impiantet sportive që ndodhen në Perth me dyer të mbyllura ose me një numër të limituar tifozësh lokas.

Gjithashtu drejtuesi i qytetit australian është dakort të realizojë këtë marrëveshje, pasi sipas tij do të shërbente si një mënyrë për të zhvilluar ekonominë vendase. Ndërkohë zgjedh të joshë Premier League me faktin se në 10 ditët e fundit ka pasur vetëm 4 raste me Koronavirus dhe se jeta është më e lirshme se në vendet e tjera, madje edhe moti në këtë periudhë është mëse favorizues për të zhvilluar kampionatin e lënë përgjysmë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/