Prapaskenat e merkatos, u tentuan Rexhinaldo dhe Pejiç

Pero Pejiç është një lojtar që në Superiore ka bërë mirë, duke fituar tituj dhe trofe personal. Kroati, edhe pse në moshë të madhe, ka arritur të tregojë formë sportive të mirë në Shqipëri, ndërkohë që së fundmi është tentuar të rikthehet në elitën e futbollit tonë nga Kastrioti.

Krutanët nuk ofruan aq sa kroati kërkon dhe palët duken larg. Një tjetër klub u fut në bisedime me sulmuesin. Bëhet fjalë për Dritën e Gjilanit, kampione në Kosovë, që e ka tentuar që në fillim të merkatos sulmuesin. Gjithsesi palët nuk kanë gjetur dot akordin.

Tashmë gjilanasit marrin pjesë në Europa League, pasi u eliminuan nga Champions-i. Pavarësisht nga përfitimet e marra nga UEFA, te Drita e kanë të qartë: shpenzimet duhet të jenë të matura. Nuk ka “çmenduri” dhe gjithçka tentohet të bëhet brenda logjikës së tregut të futbollit në Kosovë. Madje ata nuk janë futur në garë as me disa klube të tjera të Vala Superliga e Kosovës, që kanë vendosur të rritin ndjeshëm pagesat.

Më parë Drita ka tentuar një tjetër sulmues që spikati në Superiore. “Sport Ekspres” mëson se ka pasur kontakte me Rexhinaldon para ndeshjeve me suedezët e Malmos, por vetëm kaq, pasi asgjë nuk u konkretizua. Sulmuesi nga Mozambiku, autor i 18 golave me Laçin vjet, gjithashtu kishte pretendime të larta financiare dhe më pas u zyrtarizua te Kukësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *