Prapaskena/ Trajneri donte ta digjte me 5 minuta Kabashin te Kosova, Barcelona nuk e la me një telefonatë

Nga Klaudio Ndreca

Labinot Kabashi shihet si një nga talentet më premtues dhe të mëdhenj që është duke u përgatitur te Barcelona. Ky lojtar ka kaluar edhe shumë dëmtime së fundmi, prandaj emri i tij nuk është shumë i dëgjuar dhe nuk ka bërë jehonë në këto kohë. Por me aftësitë dhe potencialin që zotëron, ka vlerësime fantastike në Spanjë.

Aktualisht është pjesë e skuadrës të të rinjëve të Barcelonës, atje ku gjendet edhe Rei Manaj. E për këtë futbollist ka treguar edhe një prapaskenë trajneri që do bënte hapat e parë të rëndësishëm me Kosovën, Albert Bunjaku. Në një intervistë për “Reporteri”, Bunjaku u shpreh se donte që ta digjte Kabashin duke e aktivizuar për 5 minuta në një ndeshje zyrtare dhe duke i hequr mundësinë për të zgjedhur një tjetër Kombëtare, por me një telefonatë nga babai i futbollistit dhe me ndërhyrjen e Barcelonës, një gjë e tillë nuk ndodhi.

“Për Labinotin e kam dërguar ftesën edhe ka pranuar ftesën për të ardhur. Ka qenë një vështirësi, një problem shumë i madh, pasi ka pasur interesim edhe nga Kombëtarja e Spanjës edhe këtu ka qenë pak a shumë ai qëndrimi i Barcelonës: “A do të vinte Labinoti që të luante për Kosovën e si do të bëhet, a do të futej në lojë, edhe mos të harrojmë ka qenë në moshën 16 vjeçare. E kam ftuar që të luante kundër Kroacisë edhe Ukrainës, ka qenë në ekip.

Kur ishte pjesa e lojës unë e kisha një strategji dhe një mendim të timin. Labinoti duhej të luante 5 apo 10 minuta, që të mbeste vetëm i Kosovës pastaj. Gjatë ditës së ndeshjes më merr babai i lojtarit në telefon, Fahredini dhe më thotë: “Albert, e kam një kërkesë edhe prej klubit që të mos e aktiziviosh Labin se i sjell problem në Barcelonë plus që është i ri 16 vjeçar. Edhe ka qenë një vendim shumë i vështirë, ka qenë një vendim shumë i vështirë pasi unë kam menduar që nëse Labin e fus 5 minuta, atëherë ato 5 minuta do e bënin që të mbetej i Kosovës”, ka thënë Bunjaku. /Sport Ekspres/