Prapaskena me Edi Rejën dhe VIP-at, Duka “godet me pambuk”

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka dhënë një intervistë për “Supersport”, ku ka folur në lidhje me pozitat e tanishme ku ndodhet kombëtarja shqiptare. Atmosfera, grupi, punimet në Arenën Kombëtare dhe sukseset e Kosovës kanë qenë disa nga temat që preku numri një i FSHF.

NDESHJET NDAJ ISLANDËS DHE MOLDAVISË  – “Ekipi i njëjtë është. Në këndvështrimin tim në këto dy ndeshje ka pasur një dëshirë më të madhe, më shumë besim dhe një atmosferë më pozitive. Ndaj Islandës meritonim më shumë. Duke parë statistikat dhe rastet mendoj se meritonim të paktën 1 pikë. Me më shumë përqendrim ekipi mund ta kishte evituar. Në Islandë luajtëm më mirë. Kundër Moldavisë gjithçka ishte shumë më e vështirë. Skuadra kishte shumë presion dhe goli vonoi. Patëm pak fat te goli. Fatmirësisht shënoi Cikalleshi, i cili kishte kohë që nuk shënonte. Moldavia ishte një ekip që luante futboll, bënte qarkullim topi. Unë mendoja se do rrinin vetëm në mbrojtje”.

EDI REJA – “Përveç se është një ekspert futbollit është një njeri goxha i komunikueshëm. Di të motivojë ekipin e ti marrë gati 100%-shin skuadrës. Taktikisht edukon shumë mirë ekipin. E kisha menduar më parë Edi Rejën. E tentova disa vite më parë, por ai nuk donte të vinte në Shqipëri në atë kohë”.

GRUPI – “Grupi ka qenë i vështirë që në fillim. Nëse bëjmë maksimumin tonë mund të arrijmë gjithçka. S’po flas për ndeshjet ndaj Moldavisë dhe Andorrës, duhet të bëjmë mirë ndaj Islandës, Turqisë dhe Francës. Asgjë s’është e pamundur. Turqia mundi Francën duke dominuar e më pas u mund me Islandën. Përse mos ta bëjmë dhe ne, qoftë edhe me Francën.

KOSOVA – “Patjetër që i kam parë ndeshjet me Malin e Zi dhe Bullgarinë. Ka qenë ndeshje të interpretuara shumë mirë. Është e rëndësishme që ka një atmosferë shumë pozitive jo vetëm në ekip, por gjithkund. Në ndryshim nga ne, atmosfera rreth ekipit kombëtar ka ndryshuar shumë. Kur ishim në Europian s’dinim ku t’i fusnim personat “VIP” dhe politikanët, sot nuk na vjen kush. Tani kjo ndarje është fakt, duhet të bëjmë më të mirën që të dyja ekipet të jenë sa më të përgatitura”.

ARENA KOMBËTARE – “Është e vështirë, por do bëjmë maksimumin që të luajmë më 11 shtator me Islandën. Inspektorët e UEFA-s do ta kontrollojnë në gusht. Nj problem tjetër është fakti që është e detyrueshme që të ketë ndeshje testi. Pa dashur të kaloj topin ka dhe një problem me sheshin përballë stadiumit, ku bashkia po ndërton një parkim nëntokësor. Gropa është hapur dhe parkingu është përfunduar, por tani duhet të mbyllur, çka më duket e vështirë të bëhet në kohë”.

ZYRAT E FSHF – “Besoj se brenda e këtij viti do mbyllen zyrat, por ne duam që të futemi kur të mbyllet tërësisht kompleksi me 2 ministadiumet. Është një kompleks që i ka të gjitha. Aty do qëndrojë ekipi A dhe ato të moshave. Aty mund të zhvillohen edhe turne për moshat në të ardhmen. Besoj se e kemi zbukuruar atë pjesë të Tiranës me një vepër të bukur arkitektonike”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *