Prapaskena me De Ligt, ja si Bartomeu tentoi t’i ndryshonte mendjen

Transferimi i Matijs De Ligt u kthye në një telenovelë të vërtetë, por në fund festoi Juventusi. Kampionët e Italisë arritën akordin me mbrojtësin dhe Ajaksin dhe zyrtarizimi i tij është çështje orësh.

Megjithatë, Barcelona nuk është dorëzuar deri në fund dhe ka tentuar t’i ndryshojë mendje 19-vjeçarit. El Mundo Deportivo raporton se presidenti i Barcelonës ka telefonuar De Ligt në momentet e fundit, me qëllim për ta bindur që të transferohej në La Liga.

Josip Bartomeu i ka kërkuar një takim lojtarit holandez, duke i premtuar se ishte gati të nisej për në Amsterdam. Kapiteni i Ajaksit ka pranuar, por nuk ka lënë pa lajmëruar Mino Raiolën. Agjenti ka qenë dakord, por i ka vënë një kusht kreut të klubit katalanas.

Takimi do të ndodhte vetëm nëse ai barazonte ofertën e Juventusit që ofronte 12 milionë euro rrogë sezonale për De Ligt dhe 11 milionë euro komisione për Raiolën. Bartomeu nuk ka pranuar, është tërhequr në fund dhe i ka lejuar rrugë të lirë bardhezinjve për të arritur marrëveshjen përfundimtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *