Prangat për Klodian Duron mbërrijnë në Qipro, sherri me ish-bashkëshorten kushton shumë

Një nga emrat më të njohur të futbollit shqiptar dhe Kombëtares kuqezi, Klodian Duro, ka rënë në duart e policisë ditën e sotme. Lajm ky që me sa duket nuk ka bërë bujë të madhe vetëm në vendin tonë, pasi ngjarja ka shkuar edhe në Qipro ku ish-futbollisti në të shkuarën ka zhvilluar karrierën e tij. Thyerja e urdhërit të mbrojtjes ndaj ish-bashkëshortes së tij i ka kushtuar rëndë Duros, që tani duhet të përgjigjet përpara ligjit për veprimin e tij.

Një ngjarje e tillë padyshim që ngre vëmendjen e të gjithëve, sidomos kur bëhet fjalë për një sportist që ka dhënë shumë në fushën e lojës gjatë kohës kur ka qenë aktiv. Klodian Duro ka luajtur për 2 vite në kampionatin qipriot me klubet Apollon Limasol dhe Omonia Nicosia, për këtë arsye edhe media e shtetit ishullor “omonianews” ka ndarë me lexuesit e vetë një lajm të tillë, teksa ish-mesfushori shiptar është një emër i njohur për ta./Sport Ekspres/