Pozita e Valverdes e dobësuar, Iniesta kritikon Barcelonën: E shëmtuar, ai nuk e meriton këtë

Pozita e Valverdes në Barcelonë sa vjen e dobësohet dhe nga mediat është e qartë që vendi i tij në pankinë e ka kohën e shkurtër. Drejtuesit e klubit së bashku me tifozët janë të pakënaqur me punën e trajnerit të tyre dhe kanë nisur të mendojnë për zëvendësuesin. Por mënyra e trajtimit të Valverdes nga Barcelona duket e shëmtuar për ish-mesfushorin e katalanasve, Andres Iniesta. Ky i fundit është shprehur se i vjen keq për Valverden, pasi ai nuk e meriton një trajtim të tillë.

“Mënyra se si gjërat po zhvillohen në rastin e Valverdes është paksa e shëmtuar. Për trajnerin aktual të ekipit duhet pasur gjithnjë respekt. Është mënyra ajo që të dhemb më tepër dhe situata e Valverdes është dobësuar shumë. Përtej faktit nëse na pëlqen trajneri apo jo, situata nuk është e kënaqshme për askënd. Barcelona është një vend i veçantë, ku të fitosh kampionatin nuk mjafton. Më vjen shumë keq për Ernesto Valverden, ai nuk e meriton këtë. Shpresoj që situate të zgjidhet shpejt, e dua atë si një pjesëtar të klubit”, ka thënë Iniesta./Sport Ekspres/