Portieri Selmani i bashkohet Laçit

0

 

17-vjeçari që së fundmi është stërvitur tek Augsburgu ka gjetur akordin me klubin kurbinas dhe sezonin e ardhshëm do të jetë zëvendësuesi i Vujadinoviçit

 

Pas largimit të portierit Moçka, Laçi dhe drejtuesit e tij, janë vënë në kërkim të një tjetër futbollisti që do të jetë së bashku me Vujadinoviç, në rolin e “gardianit” të portës bardhezi. Mësohet se pas disa tratativash me disa emra të spikatur, kurbinasit kanë zgjedhur për këtë rol një futbollist cilësorë. Ai është Gentian Selmani, i datëlindjes 1998, dhe vjen nga ekipi i Kastriotit me të cilin është aktivizuar edicionin e shkuar. Por nëse hulumton në të shkuarën e tij, duket se jemi para një talenti të vërtetë. Selmani, e ka nisur rrugën e tij sportive që në moshë fare të vogël, ndërsa për gati 12 vite radhazi, ai është ushtruar me njohuritë dhe programin e ish-portierit të shquar të Partizanit dhe Kombëtares Perlat Mustës. 17 vjeçari me një staturë të kënaqshme (1.80 cm), aktivizimet e para i ka pikërisht me skuadrën e kuqe, teksa më vonë falë aftësive që ka shfaqur, është përfshirë edhe me ekipin U17 të Kombëtares. Krahas Kastriotit, edicionin e shkuar, Selmani pati ftesë dhe nga kombëtarja U19. Në fakt, bordi, e stafi teknik i Laçit nuk është se kanë gabuar shpesh në përzgjedhjet e bëra deri tani. Lajmin për përfshirjen e talentit të ri me bardhezinjtë e ka pranuar vetë portieri Selmani, i cili dje ka deklaruar se ka gjetur akordin me presidentin Laska dhe se pas një jave, do t’i bashkohet grupit të futbollisteve që stërviten nga Armando Cungu. “Po, kam rënë dakord që të nis aventurën time si portier te Laçi. Falë përgatitjeve që në moshë të re me profesor Perlat Mustën kam arritur të rritem shumë në këtë profesion. Nga viti në vit, kam fituar goxha reflekse. Dua të falënderoj stafin e Laçit dhe veçanërisht presidentin e klubit Pashk Laskën, që dha “OK” për këtë transferim. Dua të punoj, të rritem dhe të mbërrij në nivele të larta, në mënyrë që t’i shërbej skuadrës sime të re, pse jo dhe ekipeve të moshave të kombëtares tonë”,- u shpreh Gentian Selmani. Sakaq, portieri i ri i Laçit, ka qartësuar më tej dhe vonesën në bashkimin me klubin kurbinas që po stërvitet në Strugë. Sipas vetë futbollistit, ai do të udhëtojë nesër drejt Gjermanisë për t’u stërvitur për herë të fundit me trajnerin e portierëve të Augsburgut. Edhe pse e ka të vështirë të flasë për veten, talenti i ri, pranon se në të shkuarën, ka marrë disa herë leksione edhe nga kollosët e bavarisë që trajnojnë portierët e skuadrës që militon në Bundesligën e parë gjermane. “Për më shumë se një javë, do të jem në Gjermani. Laçi më ka lejuar të shkoj tek ekipi  Augsburgut. Kjo do të jetë hera e fundit, pasi më pas, do të jem totalisht në dispozicion të klubit tim të ri”,-mbylli prononcimin, futbollisti më i ri i Laçit, Gentian Selmani.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.