Portës i ka vendosur kyçin, Gentian Selmani një yll që po vazhdon të rritet në Turqi

Gentian Selmani është duke kaluar një formë të mirë në Ligën e Parë të Turqisë, ku në 4 ndeshjet e fundit ka arritur ta mbajë rrjetën e Menemen të paprekur. Katër javë pa pësuar gol dhe ish-portieri i Laçit ofron një siguri të madhe brenda katërkëndëshit të tij. Kapërcimi nga Superiorja në Turqi nuk ka qenë i vështirë për të dhe nëse vazhdon të ruajë nivelin e shfaqur deri më tani, atëherë do të jetë një emër që do të premtojë shumë për të ardhmen dhe nuk do të mungojë as hapi tjetër në karrierë.

Megjithëse vetëm 21 vjeç, portieri i Shpresave kuqezi është kthyer në një titullar të padiskutueshëm në ekipin turk. E gjitha kjo falë talentit dhe aftësive të tij në portë, të cilat i kanë sjellë vendin e titullarit edhe te 21-vjeçarët e Bushit. Madje përveçse në pjesë e padiskutueshme e Shpresave të Shqipërisë, Selmani është parë edhe si një alternativë për portën e Kombëtares A, me të cilën u thirr edhe për ndeshjet e fundit nga trajneri Reja./Sport Ekspres/