Ponari: 2014-a, i suksesshëm. 2015-ta premton për të ardhmen

0

Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit bën një përmbledhje të 365 ditëve që lamë pas, duke shpalosur edhe synimet për këtë vit

Basketbolli shqiptar e ka mbyllur vitin 2014 me një ceremoni festive më 30 dhjetor dhe, duke folur në prag të saj ekskluzivisht për AlbanianSport.net, presidenti i Federatës, Avni Ponari, ka bërë një përmbledhje të 365 ditëve që lamë pas, duke shpalosur edhe synimet për 2015-ën. Në intervistën dhënë gazetarit sportiv, Altin B. Kodra, Ponari ka vlerësuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në Ligën Ballkanike, duke premtuar rritjen e numrit të klubeve shqiptare në këtë veprimtari rajonale.

Ai e ka cilësuar 2015-ën si vitin e projektimit të një të ardhmeje të sigurt të kombëtareve të basketbollit, duke theksuar ndërkohë edhe nevojën për një administrim të këtij sporti edhe si biznes.

– Është mbyllur 2014-a. Nëse do t’i vinit një notë këtyre 365 ditëve të këtij viti të basketbollit shqiptar, cila do të ishte ajo?
– Të bësh një vlerësim me notë, është pak e vështirë, por unë do të thoja që basketbolli shqiptar pati një rritje. Dhe këtë rritje e pati për disa arsye. Për herë të parë, basketbolli shqiptar mori pjesë në një eveniment ballkanik, siç ishte Liga Ballkanike, me një klub si kampionia e vendit, Vllaznia. Po kështu, për herë të parë morëm vendimin për të marrë pjesë me 5 ekipe kombëtare të moshave në eliminatoret e vitit 2015 dhe, po kështu, do të thoja që për herë të parë pati një lëvizje të gjerë basketbollistike në të gjithë Shqipërinë. Impenjimi ka qenë më i lartë, përgjegjësia ka qenë më e madhe dhe prandaj them që basketbolli pati një rritje. Ajo ishte kuptohet që ishte një rritje relative për nivelin e Shqipërisë.

– Përmendët Ligën Ballkanike. Pavarësisht rezultateve dhe ecurisë së saj, a ka mësuar Vllaznia dhe basketbolli shqiptar nga kjo veprimtari?
– Ajo që do të thoja unë është që ne po përpiqemi të vijmë tek ajo pjesë e rëndësishme që edhe klubet shqiptare të ballafaqohen me klubet ballkanike. Kjo do të thotë që të ballafaqohen edhe me disa prej ekipeve më të mira evropiane. Dhe kjo do të na bëjë që kushdo që do të merret me basketboll, të ketë një “majë” të cilën duhet të synojë që ta arrijë. Pra do të jetë pjesë e klubeve që do të ndeshen me klubet ballkanike dhe unë uroj që vitin e ardhshëm ne të marrim pjesë me dy ekipe në Ligën Ballkanike, domethënë me një në Tiranë dhe një në Shkodër apo në ndonjë qytet tjetër dhe të kemi një konkurrim më të gjerë. Pra, siç ka Kosova dy ekipe në Ligën Ballkanike, SIGAL Prishtinën dhe Pejën, edhe Shqipëria besoj që do të ketë dy ekipe dhe kështu do të kemi një garë më të gjerë dhe më të rëndësishme të basketbollit shqiptar. Kjo do të bëjë të mundur që edhe më shumë ekipe të huaja të vijnë në Shqipëri dhe të ballafaqohen me ekipet shqiptare dhe ne të arrijmë të kuptojmë se ku ndodhemi, në çfarë niveli, me qëllim që më pas të kemi edhe ekipe kombëtare në nivelin dhe me standardet e kërkuara nga basketbolli evropian.

– Ekipe kombëtare në nivelin dhe me standardet e kërkuara nga basketbolli evropian… a është ky synimi i projektit tuaj të ndërtimit të ekipeve përfaqësuese të moshave (Nën-16, Nën-18 dhe Nën-20-vjeçarëve), që ju si federatë keni nisur në 2014-tën për ta vijuar në 2015-tën?
– Vendimi i Federatës Shqiptare të Basketbollit për të marrë pjesë me 5 ekipe kombëtare në eliminatoret kontinentale të grupmoshave ishte një vendim i rëndësishëm, i guximshëm, por, njëkohësisht, një vendim që për herë të parë, zgjodhi të zbatojë një metodë të re. Zgjodhi një mënyrë të ballafaqimit të Nën-16, Nën-18 dhe Nën-20-vjeçarëve me një grup drejtues dhe, në këtë kuptim, Federata e Basketbollit do të jetë thjesht në rol monitorues. Këto grupe drejtues janë të pavarur, të lirë të ndërtojnë strukturën dhe programin e punës, të përzgjedhin lojtarët e të ndërtojnë ekipin dhe të mbikëqyrin të gjitha aspektet e tjera, duke nisur nga marketingu, ndeshja dhe gjithë pjesëmarrja. Do ta cilësoja këtë si një zgjedhje të rëndësishme, por edhe të guximshme, pasi do të kemi edhe ballafaqimin e vlerave të drejtuesve të këtyre ekipeve, të cilët në total janë plot 25 vetë, së bashku me 5 trajnerët, të cilët, së bashku me grupin e tyre menaxhues, do të kenë përgjegjësinë për të përzgjedhur, për të marketuar dhe për të marrë pjesë në garë.

– Po, si do të vijojë më tutje puna me ekipet kombëtare?
– Natyrisht që kjo strukturë e ekipeve kombëtare të moshave do të jetë një zinxhir i vazhdueshëm dhe mendoj se Shqipëria nuk do të tërhiqet më nga ekipet kombëtare. Skema është që në rast rezultatesh apo paraqitjeje të dobët, i gjithë grupi drejtues do të zëvendësohet me një tjetër grup. Unë uroj që kjo të mos jetë e nevojshme, por që secila kombëtare e moshave të përfaqësohet denjësisht në eliminatoret evropiane të korrikut dhe gushtit të vitit 2015.

– Së fundi, jeni një nga njerëzit më këmbëngulës në këtë drejtim… a po funksionon basketbolli shqiptar edhe si biznes? Pra, a po përshtaten klubet me atë që ju keni 2-3 vjet që e kërkoni dhe sa pranë këtij objektivi jeni si komunitet i basketbollit?
– Për mua ky është çelësi i basketbollit dhe i çfarëdolloj sporti. Vazhdojmë akoma ta konceptojmë sportin dhe, më konkretisht, basketbollin, si një lëvizje masive, kur në fakt, sporti është masivitet, sepse kushdo ka dëshirë dhe të drejtë të merret me sport, por sporti elitar është biznes, është mbështetje, është promovim, pra, edhe një herë, është biznes, sikundër është edhe në të gjithë botën. Nuk mund të mendosh që të ngresh një basketboll cilësor dhe një basketboll konkurrues në Evropë, pa patur një mbështetje të fuqishme nga biznesi, pa patur një orientim të drejtpërdrejtë nga biznesi, pa patur sponsor të mëdhenj për basketbollin, pa patur transmetime televizive për basketbollin, dhe të gjitha këto së bashku do të ndërtojnë basketbollin real, basketbollin konkurrues, basketbollin biznes. Kjo është e ardhmja dhe për mua drejt asaj duhet të shkojmë. Federata Shqiptare e Basketbollit është ndërtuar ligjërisht, e ndërtuar në përputhje me ligjin për sportin dhe mbase është e vetmja Federatë në Shqipëri që e ka përcaktuar qartë në bazë të ligjit, se cila është detyra e saj dhe si duhet të jetë organizuar dhe uroj e shpresoj që edhe klubet dhe shoqatat të punojnë në këtë drejtim dhe të kemi kudo klube basketbolli apo basketboll biznes apo klube që pasqyrojnë jo vetëm nivelin e basketbollit, por të bizneseve lokale dhe ndërkombëtare në të gjithë territorin e Shqipërisë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here