Pollozhani: Na mungojnë 2 pikë, Flamurtarin e shoh në Europë

Mesfushori i skuadrës vlonjate: Kampionat i paparashikueshëm. Kemi një grup serioz dhe të përkushtuar, në Shkodër marrim rezultat pozitiv

Elton Nika

Në këto katër javë Flamurtari ka marrë shtatë pikë dhe ndodhet në pozita të mira, 3 pikë larg vendit të parë, por ajo që vazhdon të djegë në kampin vlonjat është ai barazim me Luftëtarin në shtëpi. Ishte një ndeshje, ku skuadra kuqezi duhej të kishte fituar dhe nëse do ta kishte bërë, do të kishte moral më të lartë për të bërë diçka serioze këtë sezon. Megjithatë, shpresat dhe mundësitë janë sërish, sepse përpara janë shumë ndeshje. E thotë këtë në një intervistë për “Sport Ekspres” Artim Pollozhani, lojtari afruar këtë verë në Vlorë. Ai ka ardhur te Flamurtari me një eksperiencë të madhe dhe është një nga titullarët më të rëndësishëm të skuadrës, pasi luan në mesfushë dhe në mbrojtje.

– Artim, 4 ndeshje dhe 7 pikë për Flamurtarin. Si e vlerësoni startin e kampionatit?

– Nëse u rikthehemi ndeshjeve të zhvilluara deri më tani, duhet të kishim më shumë pikë në renditje. Kemi shtatë pikë dhe jemi në një pozicion të mirë, por në katër ndeshje mund dhe duhej të kishim marrë diçka më shumë. Kemi pasur mundësi për të qenë më mirë në renditje.

– Ai barazimi me Luftëtarin duket se ju “djeg” ende…

– Mendoj se po. Po ta kujtosh atë ndeshje, ishim ne që e kemi qarkulluar topin, kemi pasur rastet më të mira, veçanërisht në pjesën e dytë. Tri pikët i kërkuam sapo hymë në fushë, por në fund morëm vetëm një. Nëse do të kishim edhe ato dy pikë, do të ishim në një tjetër pozicion në renditje. Megjithatë, çfarë iku nuk duhet të mendohet sërish, tashmë të shohim vetëm përpara.

– Dhe përballë në ndeshjen e radhës është Vllaznia. Çfarë mendimi keni për këtë ndeshje në transfertë?

– Kundërshtari ynë i radhës është një skuadër me shumë emër në futbollin shqiptar, një skuadër me histori. Ndeshja luhet në një stadium mjaft të mirë, që të lejon të zhvillosh lojën tënde. Vllaznia, edhe pse në dy ndeshjet e fundit nuk ka bërë mirë, nuk do të thotë asgjë, sepse mbetet një kundërshtar mjaft i vështirë, një skuadër me lojtarë cilësorë. Por kemi objektivat tona dhe pavarësisht vlerësimit që kemi për Vllazninë, do të kërkojmë të marrim maksimumin.

Janë luajtur katër javë në Superligë, si e shihni kampionatin shqiptar?

Një kampionat mjaft i vështirë dhe krahasuar me periudhën kur kam luajtur këtu, është rritur. Ndryshimet mes skuadrave janë të pakta. Dakord, ndoshta ndryshim ka Skënderbeu, për vetë faktin se është rritur nga viti në vit dhe ka shkuar deri në Europa League. Pra, është një skuadër që mendoj se është diçka më lart se të tjerët, pastaj ndryshimet janë të vogla. Skuadrat janë aty-aty dhe është një kampionat, ku mund të vijë çdo rezultat, madje edhe surprizat nuk mungojnë nga java në javë.

– Më i fortë nga sa e prisnit?

– Po, po, më i fortë. Nuk mund të mendosh dot një rezultat. Një skuadër humbet në shtëpi dhe pastaj shkon edhe fiton në transfertë. Kjo tregon se ky kampionati do të jetë shumë i fortë, këtë e kanë treguar edhe katër javët e para. Duhet të luftosh fort në çdo ndeshje. Asnjëherë nuk mund të parashikosh saktë një ndeshje, sepse surprizat janë brenda.

– Ky Flamurtar, sipas jush, deri ku mund të shkojë?

– Është ende shpejt, por kjo skuadër është shumë serioze, në gjirin e skuadrës ka lojtarë profesionistë dhe mjaft cilësorë. Natyrisht, janë luajtur vetëm katër javë dhe deri në fund të kampionatit duhet shumë, shumë punë. Megjithatë, e shoh skuadrën mjaft serioze dhe të përkushtuar për të arritur atë që dëshirojmë. Në fund bëhen llogaritë, por kupat e Europës i duam të gjithë.

– Me Vllazninë ditën e enjte, çfarë parashikoni?

– Do të kërkojmë të bëjmë maksimumin dhe të marrim një rezultat pozitiv. Gjithçka e vendos fusha, por besoj se do të kthehemi me pikë në Vlorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *