Pollozhani: Absurditeti shqiptar, të gjithë stërviten në bar artificial!

Mesfushori veteran i Flamurtarit, Artim Pollozhani, është një futbollist me peshë të madhe te Flamurtari dhe kjo u pa në Durrës, sepse shqiptari nga Maqedonia luajti si qendërmbrojtës dhe e bëri në mënyrë perfekte. Shkaktoi një penallti, e vërtetë, por a ishte e tillë? Realisht jo, sepse gaboi anësori. Ky mbetet pengu i Pollozhanit, i cili në Supersport deklaroi: “Jemi shumë të kënaqur, Teuta është një rival shumë serioz, që e ka nisur shumë mirë sezonin. Shënuam dy gola dhe kemi luajtur mjaft mirë, por ndeshja u hap nga një penallti inekzistente. Ekipi është i ri, por shumë cilësor dhe trajneri Duro ka bërë një punë shumë të mirë, ndaj na duhet vetëm pak kohë. Synimi është të fitojmë ndonjë kupë, ose të dalim në Europë, sepse ka vite që Vlora ka vite që ka pasur turbullira dhe nuk ka parë suksese, ndaj shpresoj që këtë vit të bëjmë diçka të mirë.

“Penalltia e pretenduar nga Teuta në pjesën e parë nuk qëndron sepse kam zgjatur gjithë shpatullën, ndërsa penalltia e dhënë është inekzistente, nuk ka nevojë për koment, duket qartë që kam qenë jashtë zone. Arbitri kryesor dha faull jashtë zone, pastaj anësori ia ndryshoi vendimin. Isha i sigurt që nuk ishte penallti dhe i thashë kryesorit që po gabohej dhe do bindej kur të shihte përsëritjen në video. Është normale të gabohet, por duhet më shumë kujdes nga arbitrat.

Pollozhani evidenton diçka që i duket absurde në Shqipëri: “Kthehem për herë të tretë në Shqipëri dhe niveli është rritur ndjeshëm. Më bën shumë përshtypje që fushat e stërvitjes në shumë qytete janë me bar sintetik. Kjo është e papranueshme, ai është opsioni i fundit për stërvitje, sepse vetëm Korça ka periudha me dëborë në dimër”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *