Politikë dhe korrupsion, Botërori 2022 mund t’i hiqet Katarit

0

Katari mund të humbasë të drejtën e organizimit të Kupës së Botës në vitin 2022, raportojnë mediat në Meksikë, një lajm i bujshëm, që ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar dhe ka kapur në befasi edhe mediat botërore. Nëse është e vërtetë, treshja SHBA-Kanada-Meksikë bëhet favorite për organizimin e Botërorit.

Për momentin është veçse një thashetheme, por që mund të rezultojë në një lajm të bujshëm, me përmasa globale. Mbetet për t’u parë, por ndërkohë gazeta sportive meksikane Record shkruan se FIFA është shumë e shqetësuar për situatën gjeopolitike në Katar dhe po mendon alternativat.

Më 5 qershor Arabai Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jemeni, Bahreini dhe Egjipti mbyllën kufijtë dhe ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, që akuzohet se mbështet grupe terroriste. Në këtë situatë tensioni, Kupa e Botës nuk ka arsye të zhvillohet në Katar, ku edhe kostoja e punimeve për stadiumet e rinj është kolosale dhe afatet e punimeve nuk janë respektuar.

Nëse nuk ka ndryshime për mirë, FIFA mund t’ia heqë Botërorin Katarit, duke ia kaluar SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës, që janë kandidatë për Botërorin 2026. Nuk përjashtohet një ndërrim vendesh me Katarin, që në 2026 ndoshta do të jetë gati, por nga ana tjetër ka vite që qarkullojnë zëra se Katari e ka blerë me ryshfete të drejtën e organizimit të Kupës së Botës, ndaj nëse FIFA ia heq tërësisht të drejtën, do të konfirmohej teoria e korrupsionit.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image