Politikani De Biazi

0

Para pak ditësh presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, deklaroi se pas Europianit u dehëm dhe na pushtoi euforia, duke e përfshirë edhe veten, për të mos lënë askënd pa faj. Një dush i ftohtë, një shuplakë për lojtarët, por edhe për trajnerin Xhani De Biazi, i cili prej muajsh e përsërit në çdo gazetë e televizion se në Shqipëri e trajtojnë si mbret dhe se nëse kandidon për president, fiton me shumicë absolute votash.

Dakord, ajo që ka bërë De Biazi me Shqipërinë nuk ka precedent dhe ndoshta nuk do të përsëritet më, por nëse vetë heroi ynë e përmend këtë gjë çdo javë, atëherë teprohet dhe pak nga pak kthehet në bumerang, sidomos duke parë kurbën rënëse të kombëtares, diçka e pritshme, ashtu si Lester Siti, që nga kampion Anglie, tashmë rrezikon rënien nga Premier Liga dhe e largoi heroi e vet kombëtar, Klaudio Ranierin.

Duka nuk është si tajlandezët e Lesterit, nuk do ta largojë në mes të sezonit De Biazin, ky i fundit ndoshta e di mirë këtë gjë dhe ndërkohë përgatit terrenin për largim, duke mos humbur rast për ta përsëritur se ka pasur “lumë” ofertash dhe vazhdon të ketë plot të tilla. Ndërkaq, konferencat për shtyp në Shqipëri janë kthyer në një rutinë të lodhshme, ku pranohen vetëm pyetje pa rëndësi dhe ku evitohen diskutime taktike, teknike, apo për emrat e grumbulluar e ata që nuk janë.

Dje një pyetje për Gashin mori përgjigjen arrogante se ky është vendimi i trajnerit dhe kaq, asnjë shpjegim shtesë. Ndërkaq, meqë ishim te kandidimi i De Biazit për president a kryeministër, duket se trajneri ynë ka kuptuar shumë mirë si funksionon Shqipëria: si një politikan i zgjuar, nga ata që na tallin sa herë ka zgjedhje duke na premtuar se së shpejti do e kalojmë edhe Gjermaninë për nga zhvillimi, edhe De Biazi deklaron se objektivi i tij është vendi i dytë, sepse i pari qenka pak larg.

Nëse ka ndonjë shqiptar që e beson, atëherë De Biazi e meriton të bëhet kryeministër, sepse fundja për nga fama është në nivelin e politikanëve tanë, apo këngëtarëve të tallavasë, sepse fundja njësoj janë për këtë popull, superstarë…

Blerim Jahaj

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here