Polemikat/ Te Lacio-Juventus zgjidhet arbitër që nuk dëgjon VAR-in dhe ndihmon bardhezinjtë

Shumë polemika ka shkaktuar zgjedhja e arbitrit për takimin mes Lacios dhe Juventusit. Kjo pasi si kryesor në këtë përballje delikate, ndoshta më të rëndësishmen të javës, është Michael Fabri. Në këtë ndeshje kanë sytë edhe shumë ekipe të tjera, sidomos nga Interi, pasi presin një tjetër ndalje të bardhezinjëve.

Por zgjedhja e kryesorit Fabri, i ka dëshpëruar së tepërmi. Kjo për vetë të kaluarën e këtij arbitri. Për ta nisur me një statistikë të thjeshtë, ku në 6 takimet e fundit me të si arbitër, Juventusi ka fituar 5 dhe ka barazuar vetëm 1.

Sigurisht, kjo e dhënë nuk mjafton. Por duhet të përmendim që në penalltinë e mohuar te Juventus-Milan, në favor të kuqezinjëve dhe kur Alex Sandro kapi topin me dorë, do të ishte vetë Fabri që nuk do e jepte.

Në krye të VAR-it asokohe ishte Calvarese dhe i kërkoi kryesorit që ta rishihte episodin në VAR. “Jo, nuk ka ashpërësi”, ishte komunikimi në kufje, për të shmangur teknologjinë. “Ju e vendosni atëherë, nëse nuk doni të ndihmoheni”, i ka thënë Calverese-Fabrit, për atë rast aq shumë të diskutueshëm.

Por kjo nuk është hera e parë që Fabri anashkalon VAR-in për të vepruar sipas mendimit të tij, pasi kjo ka ndodhur edhe në Verona-Napoli, për një karton të kuq të Hysajt përpara disa kohësh, apo edhe një penallti bujare te Matuidi, kur Juventusi u përball ndaj Atalantës në Kupën e Italisë dhe ku me Chiellinin u tregua zemërgjerë pasi nuk e përjashtoi pas ndërhyjes së rrezikshme ndaj Caldaras. /Sport Ekspres/