Polemikat e mëdha për VAR-in në Itali, Insinje zbulon bisedën me arbitrin Roki

Lorenzo Insinje ka mbetur sërish i pakënaqur me arbitrimin dhe sistemin VAR, ku  polemikat e mëdha në ndeshjen me Atalantën vazhduan edhe në përballjen tjetër kundër Romës.

Kapiteni i napoletanëve është shprehur se VAR-i duhet të funksionojë njësoj për të gjithë, ndërsa nuk ka ngurruar të tregojë edhe përgjigjen aspak profesionale që gjyqtari Roki i ka dhënë. Sulmuesi italian ka shkuar t’i kërkojë shpjegime për atë kontakt që Lozano pati Veretout pranë zonës së kryeqytetasve, por arbitri kryesor ia kthen me një kritikë pesonale Insinjes, duke i thënë se ka qenë pikërisht ai që ka bërë më tepër gabime gjatë asaj sfide.

“Duhet të pyesni Rokin. Unë kërkova disa qartësime nga ai, VAR-i i kishte thënë se kishte kontakt, ndërsa ai pa se Lozano ra vetë. Unë kërkova shpjegime, ai ngriti gishtin drejt meje dhe me një ton të lartë më tha: ‘Ti bëre më tepër gabime në fushë se sa unë sot’. Unë thjesht doja shpjegime, por ai më tha këtë. Nuk i thashë asgjë të keqe”, ka deklaruar Insinje./Sport Ekspres/