Polemika në Kroaci, nga paraqitja e Dinamos e deri te komentet skandaloze në televizionin kombëtar

E prisnin një shëtitje, duke pasur në mendje edhe fitoret e dy viteve më parë, por Dinamo e Zagrebit evitoi me fat humbjen dje, duke u ndihmuar edhe nga një anësor letonez që me futbollin dukej sikur nuk kishte lidhje. Sot mediat kroate ishin të ndershme, Dinamo e vodhi Skënderbeun dhe nuk meritonte as barazimin. Kritika të shumta janë rezervuar për zgjedhjet e trajnerit Cvitanoviç, i cili në vend të kapitenit Antoliç, i dëmtuar lehtë zyrtarisht, luajti me Dumbia, i cili nuk e kishte idenë nga organizimi i lojës. Edhe Çoriç, i cili e nisi titullar, nuk u zëvendësua për dëmtim, por më shumë për lojën e dobët që po zhvillonte. Ndërkaq, tifozët janë shprehur mjaft të zhgënjyer nga ndeshja e Dinamos, duke e konsideruar një fitore barazimin, për nga mënyra si erdhi.

SKANDALI – Në televizionin kombëtar HRT, ku u transmetua ndeshja direkt, gazetari Stjepan Balog e teproi me tentativën për të bërë ndonjë batutë me humor. “Ka ikur koha kur i njihnim shqiptarët për shitës akulloresh dhe ëmbëlsirash, duhet kujdes sonte”, shprehej Balog para ndeshjes. Ndoshta shprehja figurative qëndron, sepse Skënderbeu aktual është qindra kilometra larg ekipeve shqiptare në vitet ’90 e 2000, që shkonin në Europë vetëm për t’u kthyer me ndonjë thes me gola e ndonjë bast të fituar në xhep. Megjithatë, kolegët e gazetarit humorist e kanë kritikuar ashpër atë batutë, ëq për më shumë u bë në transmetim direkt në televizionin kombëtar.

Zrinka Pavliç e “portal.hr” është treguar mjaft e ashpër në një editorial të gjatë në lidhje me këtë çështje: “Ky shovinizëm i paturp dhe pa humor ndodh shpesh mes komentatorëve, që duan të tregohen të zgjuar e plot batuta. Ajo që më zemëron, përveç shovinizmit të hidhur nga Balog, është që ai na fut të gjithë në një thes, duke thënë se më parë ne i njihnim shqiptarët… Kush ne? Ai ndoshta do të përfshijë edhe shikuesit, ku jo vetëm nuk ka shumë persona që thuk i marrin në konsideratë budallallëqe të tilla, por ka edhe shumë shqiptarë duke e ndjekur”.

Stjepan Balog

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *