Pogradeci përgatitje në dëborë, priten dy lojtarë maqedonas

Pas mbylljes së gjysmës së parë të sezonit në vazhdim në Kategorinë e Parë, skuadra e Pogradecit u rendit në vendin e katërt me 22 pikë, objektiv ky i realizuar për këtë periudhë. Këtë e konfirmon për SportEkspres.com vetë trajneri i liqenorëve, Festim Fetollari, i cili këtë e quan gjysmën e punës, pasi sipas tij, duhet më shumë kujdes në katër ndeshjet e mbetura të fazës së dytë.

“Për Pogradecin, vendi i katërt në renditjen e 14 javëve të luajtura është një pozicion i mirë, por kjo ishte vetëm gjysma e punës. Sepse faza e dytë ka edhe katër ndeshje që janë shumë të rëndësishme për vazhdimësinë në fazën e tretë, në të cilën të gjitha skuadrat hyjnë me pikë të përgjysmuara. Ne jemi duke u përgatitur, edhe pse në kushte të motit të ftohtë e të rënduar nga bora ”, kështu theksoi në deklarimin e tij tekniku i Pogradecit.

Por e veçanta e kësaj periudhe në skuadrën pogradecare mbetet edhe merkatua, për të cilën Fetollari deklaron se do afrojnë dy lojtarë nga Kategoria e Parë e Maqedonisë, ndërsa janë larguar tre futbollistë që nuk ishin në organikën e skuadrës. “Në fundjavë ekipit tonë do ti bashkohen dy futbollistë maqedonas, një mesfushor dhe një sulmues, me të cilët i kemi mbyllur bisedat që në fundin e muajit dhjetor. Këto ditë janë larguar tre futbollistë që stërviteshin me ne, por ishin jashtë organikës”.

AGRON KAJA

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *