Pogradeci me president të ri, Stojku mund të jetë kryepankina!

0

Ndryshime te liqenorët pas zgjedhjeve, nga skuadra e parë e deri tek akademia!

 

Leonard TREBICKA

Me zgjedhjet e reja të 21 qershorit për Bashkinë e Pogradecit dhe me kreun e ri kryebashkiak, Eduart Kapri, sigurisht që në skuadrën liqenore do të ketë ndryshime pozitive, ndryshime që pritet të fillojnë shumë shpejt, madje qysh këtë javë. Presidenca e Pogradecit do të jetë krejtësisht e re, me emra që vijnë për herë të parë në krye të futbollit pogradecar dhe që kanë si synim në sezonin e ri të rendisin ekipi në vendet e kreut të Grupit të Jugut të Kategorisë së Parë, atje ku do të marrë pjesë edhe Pogradeci në sezonin 2015-2016.

Presidenti i ri do të zyrtarizohet shpejt, ndërkohë që do të jenë edhe disa donatorë të tjerë që do të ndihmojnë financiarisht ekipin e futbollit. Me vendosjen e tyre pritet të bëhen edhe afrimet e para, ndërkohë që burime pranë presidencës së re, bëjnë me dije se në krye të pankinës pogradecare pritet të jetë një emër i njohur i futbollit elbasanas, siç është Gentjan Stojku, si dhe ish-portieri pogradecar Mario Bytyçi.

Po ashtu priten edhe rikthimet e Kllogjerit dhe Zguros, pa thënë edhe emra të tjerë, që do ta bëjnë një ekip vërtet të fortë skuadrën liqenore për sezonin e ri. Në planet e presidencës së re, burimet bëjnë të ditur që është edhe krijimi i akademisë së Pogradecit, gjë që do t’i japë një zhvillim edhe më të madh futbollit në qytetin e liqenit. Objektivat që do të vendosë presidenca e re, do të mbështeten edhe nga donatorët e tjerë të rinj dhe sigurisht që ky është një lajm më shumë se i mirë që ka mbërritur ditën e djeshme për Pogradecin. Ditët në zhvillim tashmë pritet të zbulohet emri i presidentit dhe më pas emri i trajnerit që me shumë gjasa do të jetë Gentjan Stojku dhe më pas do të fillohet menjëherë formatimi i ekipit të sezonit të ri.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.