Pogradeci godet në merkato, Terrolli zbulon dy afrimet!

Në hapësirën e merkatos, te Pogradeci më shumë po synojnë futbollistët e dalë nga ekipet e tyre zinxhir ndër vite, por edhe ish-lojtarë që kësaj skuadre i kanë shërbyer sezone më parë.

Këtë herë “grepat” e drejtuesve liqenorë janë hedhur te mesfushori Ildi Shyti, që sezonin e kaluar luajti me Bylisin, dhe te sulmuesi Albi Çekiçi, i cili ishte në përbërje të Besës. Të dy futbollistët kanë nënshkruar këto ditë një parakontratë me Pogradecin.

Për SportEkspres.com, sekretari i klubit liqenor, Arjan Terrolli deklaron se me të dy këta futbollistë është kontaktuar  disa javë më parë, por zyrtarisht në fundjavë është nënshkruar një parakontratë.

“Si Albi Çekiçi, ashtu edhe Ildi Shyti janë dy futbollistë me vlera që i shërbejnë Pogradecit. Rikthimi i tyre në skuadrën tonë është një përforcim cilësor, dhe duke qenë se ende nuk kemi nisur nga sezoni, me të dy nënshkruam një parakontratë”.

“Duke qenë të kushtëzuar në startin e sezonit të ri, pasi mendojmë të nisim në muajin korrik, me Çekiçin e Shytin menduam ti mbyllim në 99% marrëdhëniet. Parakontrata nënkupton ndonjë lëvizje të tyre vetëm jashtë Shqipërisë, ose në Superiore, sepse në të Parën ata janë vetëm futbollistë të Pogradecit”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *