Pogradeci fluturon me “bombarduesin” Çekiçi

Pogradeci siguron pesëshen e parë në grupin B. Albi Çekiçi vazhdon rrugën drejt trofeut të golashënuesve, ndërkohë që Shkumbini nuk del dot nga kriza

E shtunë 24 shkurt ora 14:00, Stadiumi Gjorgji Kuçuku, Pogradec

Pogradeci – Shkumbini    3-0
Shënues: Topllari 17′, Çekiçi 38′, 58′
Pogradeci: Mali, Pere, Hysenllari, Hidri, Lame (G.Liçkollari 89′), Çekiçi, Jahaj (Molla 87′), Çela (Yzellari 80′), J.Liçkollari, Topllari, Shyti. Trajner: F.Fetollari
Shkumbini: Ajazi, Frajdej, Musaku, E.Lluca, Ramazani (Aruçi 60′), Mustafaj (Gjyla 62′), Ikonomi, Meta, Bërdufi, Xhyra, Mezini (Lila 71′). Trajner: S.Branica
Gjyqtarë: K.Prenga, E.Çuni (Laç), R.Shaba, K. Bajramaj (Tiranë)
Kartonë të vedhë: Hysenllari 50′ / E.Lluca 39′
Vëzhgues: S. Resmeliu
Delegat: I. File

Liqenorët marrin tre pikë me mjaft vlera ndaj Shkumbinit dhe sigurojnë pesëshen e parë të grupit B, edhe pse do të luhet edhe një javë nga faza e dytë. Por nga ana tjetër, liqenorët kanë në skuadër edhe golashënuesin më të mirë të grupit B. Pikërisht, Albi Çekiçi me dy golat e shënuar është ngjitur në krye të listës me 13 gola. Takimi i djeshëm me Shkumbinin ka qenë i dominuar nga vendasit. Që në minutat e para, pogradecarët janë shfaqur rrezikshëm, madje nuk harrojnë të shpërdorojnë raste të pastra për gol. Janë Liçkollari e Çekiçi, të cilët edhe me portën e boshatisur çuditërisht, gabojnë. Por në minutën e 17-të është Topllari, që përfiton nga një gabim i mbrojtësve peqinas, me portierin, topi ngelet në zonë dhe sulmuesi kalon të tijtë në avantazh. Një gol qetësie, që pasohet nga i dyti në pjesën e parë. Është Çekiçi që këtë herë tregon vlerat e tij, duke qenë shumë i saktë në finalizim, pas topit të kthyer nga Ajazi.

Pjesa e dytë – Në 45 minutëshin e dytë, fillon të reagojë Shkumbini. Janë dy mundësi për gol me Llucën e Mustafajin, por është merita e Malit, që porta e tij nuk preket. Në minutën e 58-të, Çekiçi rrëmben një top në mesfushë, shikon daljen e Ajazit e dërgon topin në rrjetë i ndihmuar edhe nga rrëshqitja e portierit. Pas këtij goli, nuk ka shumë histori. Të dy ekipet morën atë që meritonin, me Pogradecin që tani është i qetë në pjesën e sipërme të renditjes, ndërsa Shkumbini do të luajë një fazë të tretë për të mbijetuar në Kategorinë e Parë.

Fetollari: Arritëm objektivin e parë
Festim Fetollari mund të ndihet më i qetë. Objektivi për të qëndruar në grupin e parë të renditjes është realizuar, por jo pa probleme. Ishte reagimi më i pritshëm nga ekipi. Ka ditur në çastin e duhur të realizojë objektivin e vet. Edhe sot kemi shpërdoruar, por edhe kemi shënuar. Duhet ta pranojmë, që shumë futbollistë i kisha në gjendje gripale dhe kanë sakrifikuar. Kemi edhe një ndeshje, por pesëshja është tashmë e jona. Dhe ky ishte objektivi i parë. Më pas do të shohim në vazhdimësi. Jemi të qetë, është shprehur trajneri pogradecar.

Branica: Skemi kohë për të “qarë”
Sokol Branica nuk ka si të jetë i kënaqur. Skuadra e tij ka humbur dhe në nëntë takimet e fundit, Shkumbinit i duhen pikë për të qëndruar në Kategorinë e Parë. Në momente të caktuara jam i kënaqur me lojën. Kishim mundësi dhe do të ishte ndryshe në qoftë se do të shënonim. Nuk ka kohë për të “qarë” këtë humbje, pasi kundërshtari është cilësor. Ne duhet të shikojmë takimin e fundit me një kundërshtar direkt të mbijetesës. Por me këtë që pashë sot (dje), Shkumbini nuk është ekip që rrezikohet. Gjithsesi, duhet shumë mund”, ka mbyllur Branica.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *