Pogba në janar, operacion me vlerë 200 milionë euro

Pol Pogba kërkon të largohet nga Mançester Junajtid dhe kjo tashmë nuk është sekret. Juventusi ëndërron ta rikthejë mesfushorin, ndërsa përveç konkurrencës së Barcelonës, duhet të bëjë llogaritë me një operacion të komplikuar në merkato.

Francezi vlerësohet rreth 100 milionë euro në merkato, shifër të cilës i shtohet edhe paga 15 milionë euro në sezon. Por, pas afrimit të Kristiano Ronaldos, në Torino janë gati të bëjnë të tjera investime të rëndësishme, pavarësisht shifrave të larta që duhet të shpenzojnë.

Në total, afrimi i Pogba përllogaritet me një kosto pak më të ulët se 200 milionë euro. Shifër të cilën drejtuesit bardhezi janë të gatshëm ta investojnë, për të forcuar skuadrën dhe synuar triumfin në Europë. Nga ana e tij, lojtari nuk e ka fshehur dëshirën të rikthehet te kampionët e Italisë, për të luajtur përkrah Kristiano Ronaldos.

Afrimi i 25-vjeçarit në merkaton e janarit favorizohet edhe nga rregullat e reja të UEFA-s, sepse Pogba do të ishte në gjendje që të luante në Champions League me Juventusin, pavarësisht se në fazën e grupeve do të përballet me “Zonjën e Vjetër” si kundërshtar. Me rikthimin e kampionit të botës, bardhezinjtë duhet të realizojnë edhe disa shitje, ku emrat më të mundshëm që mund të largohen janë Khedira dhe Bentankur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *